Lëvizja BESA: Bashkëpunimin opozitar ia delegojmë Këshillit Opozitar

 Pas akuzave të shumta që janë bërë në adresë të Lëvizjes BESA nga partitë opozitare, pjesë të Aleancës për Shqiptarët, Lëvizja BESA konstaton se liderët e dy partive përkatëse, me sulmet e tyre – që akoma nuk ka arritur t’i shqiptojë as BDI-ja vetë, e kanë minuar seriozisht mirëbesimin mes partive opozitare shqiptare.

Për BESËN është e pashpjegueshme dhe e palogjikshme që ato parti të humbin aq energji dhe kohë e të merren me BESËN dhe shpifjet më të rënda ndaj saj, që shkojnë deri në thirrje të Prokurores Speciale që ta përndjekë BESËN, dhe të mos merren fare me partitë shqiptare të pushtetit.

“Të gjendur në këtë situatë, na mbetet të konstatojmë se kjo mund të jetë një agjendë e kuzhinës së BDI-së, sepse shpjegim tjetër nuk gjejmë. Për këtë arsye Lëvizja BESA, që të mos u përgjigjet atyre akuzave dhe ashtu ta realizojë atë që e pret partia shqiptare në pushtet, do të kursehet nga kundërsulmet dhe shpjegimet dhe ka vendosur që deri në shpalljen zyrtare të zgjedhjeve të mos merret me temën e bashkëpunimit të opozitës. Por, Lëvizja BESA nuk e mbyll as derën, as nuk e fsheh çelësin, as nuk akuzon për vrasjet e vëllavrasjet nëpër degë, as për paradoksin e formimit të një partie për ta reformuar një parti tjetër, as për arsyet e vrasjeve të shoferëve e funksionarëve të tjerë, as për personat e inkriminuar nëpër parti të caktuara e as për keqpërdorimet e ndryshme financiare, sepse ne nuk kemi dalë në skenën politike shqiptare të bëjmë luftë kundër opozitës shqiptare, por jemi në front me pozitën antishqiptare”, thuhet në kumtesën e tyre.

BESA, temën e bashkëpunimin të opozitës ia kalon Këshillit Opozitar. Përveç kësaj, Lëvizja BESA në vazhdimësi do ta inkurajojë Këshillin që të gjejë gjuhë bashkëpunimi me partitë opozitare shqiptare, të ndërtojë marrëdhënie korrekte me to, madje – kur të shpallen zgjedhjet zyrtarisht – të bisedojë edhe për mënyrën e garimit të përbashkët në zgjedhje, si edhe për kriteret e këtij bashkëpunimi.

“Duke qenë në aleancë vetëm me popullin shqiptar në Maqedoni, ne urojmë që në zgjedhje të dalim bashkërisht, prandaj në frymë të kësaj – sado që të na shajnë ata – ne nuk do t’ua kthejmë, sepse jemi të bindur se ata që merrem me akuza të ndërsjella me opozitën shqiptare, ashtu vetëm u shërbejnë partive antishqiptare në pushtet. E ne nuk duam t’i shërbejmë atij që na vret, që na degradon dhe na gjykon me burg të përjetshëm”, përfundon kumtesa e Lëvizjes Besa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button