Struga nuk e meriton mynxyrën!

Qyteti i bukurisë shqiptare Enhaloni i lashtë është mbuluar në zi, pasi këto ditë zemrat e struganve janë trazuar nga një tjetër goditje vëllavrasëse mes shqiptarëve. Një jetë tjetër e një të riu shqiptar u shua. Edhe një djalë tjetër u nda para kohe.

Në qiellin strugan po enden korbat e zinj duke paralajmëruar përmes vajit dhe kokërramave të tyre mandatat e vdekjes. Në vend të tolerancës dhe mirësjelljes, bashkimit dhe mirëkuptimit, mes shqiptarëve është mbjellë fara e urrejtjes dhe mosdurimit. Një betejë vëllavrasëse rinisë shqiptare kërkojnë t’i shpallin. Prandaj, le t’i themi ndal vëllavrasjes. Një mesazh shumë domethënës i veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare Adem Demaçi, i gjysmë shekulli më parë që duhet sjellë në kujtesën tonë kolektive, ku në një nga veprat e tij ai thoshte:

“Jo atyre që ngrenë gishtin e krimit, po atyre që shtrijnë dorën e pajtimit”. Ky mesazh sensibilizimi është një thirrje më shumë për t’i thënë jo mynxyrës dhe vëllavrasjes mes shqiptarëve, problem shoqëror ky i cili kërkon angazhim më të madh të intelektualëve të rrethit dhe rinisë studentore. Ngushëllimi dhe pjesëmarrja masovike në lamtumirat e fundit të të rinjve shqiptarë janë shenjë dhembshurie dhe respekti, shenjë solidariteti dhe humanizmi ndërshqiptar, por ato nuk i parandalojnë dot duart vrastare. Një dorë e zezë antishqiptare po godet rininë shqiptare. Thonë se në këto raste qeveria e zë lepurin (hajdutin) me qerre… vërtet ajo lepurin (hajdutin ordiner) e zë po kriminelët jo, ata mbase kapardisen si kaubojë mbi qerren qeveritare !Subjektet politike shqiptare nuk e prishin “terezinë” nga këto gjëma. Atyre u intereson pushteti nën demokraturën maqedonase. Indiferenca ndaj këtyre ngjarjeve të kobshme i bën ata përgjegjës përpara historisë.

Një gjykim i ftohtë mbi këto vese dhe veprimet tashmë shqetësuese na lenë të kuptojmë se qarqe të errëta antishqiptare po nxisin përçarjen e madhe ndërshqiptare. Një rrugë e gabuar kjo si shmangie ndaj rrugës dhe misionit fisnik të nisur të fillim viteve 90-ta të idesë së pajtimit dhe bashkimit kombëtar. Sot është më shumë se e nevojshme mirëkuptimi dhe solidariteti njerëzor mes shqiptarëve. Rrugë tjetër nuk ka. Së bashku mund të arrijmë më shumë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button