Bejli në UEJL: Thelbi i demokracisë është votimi, të rinjtë duhet më shumë të angazhohen

‘’Përfshirja e të rinjve në zgjedhje dhe në politikë”, solli dje në një debat ambasadorin amerikan në Shkup, Xhes Bejli dhe drejtuesit e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, bashkë me stafin akademik dhe studentët.

Organizuar nga ana e Këshillit të të rinjve të Ambasadës së SHBA-ve në Shkup, ky debat pati për temë qendrore “Vakumin rinor në zgjedhje dhe hartimin e politikave” (“Youth Vacuum in Elections and Policy Making”), kurse ambasadori Bejli, duke u ndërlidhur me përfshirjen e të rinjve në zgjedhje dhe në politikë tha:

“Për ta adresuar këtë çështje dhe për ta diskutuar këtë temë, nuk ka vend më të mirë se Universiteti i Evropës Juglindore”.

Sa i përket përfshirjes së të rinjve në aktivitetet e ndryshme shoqërore, dhe rëndësisë që ka kjo përfshirje në të gjitha hallkat e zhvillimit shoqëror e social, duke përfshirë edhe politikën, ambasadori Bejli u tha studentëve se thelbi i demokracisë është votimi dhe se të rinjtë duhet më shumë të angazhohen dhe të votojnë.

“Ata që dalin në votime të parët janë ata të moshave më të rritur, kurse të rinjtë votojnë shumë më vonë gjatë zgjedhjeve. Ndryshimi dhe zgjidhja e problemeve fillon me votën e lirë dhe të rinjtë duhet të votojnë”, tha ambasadori Bejli.

Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Zamir Dika, foli për rolin e Universitetit në krijimin e kulturës së debatit.

“Universiteti i Evropës Juglindore gjatë gjithë kohës mbetet i përkushtuar në ofrimin e një procesi cilësor arsimor dhe shkëlqyeshmërisë në mësimdhënie. Kjo, do t’i përgatisë studentët, që pas diplomimit të jenë të përshtatshëm me standardet demokratike dhe të jenë qytetarë aktiv demokratik të shekullit XXI”, tha mes tjerash rektori Dika.

Me qëndrimet e tyre rreth përfshirjes së të rinjve në zgjedhje dhe vakumit të krijuar, panelistët nxorën në pah nevojën e motivimit dhe krijimit të besimit te të rinjve për t’u angazhuar në procese me rëndësi politike.

Në debat pati edhe pyetje dhe komente nga studentët dhe profesorët e pranishëm, të cilët u interesuan rreth çështjeve aktuale dhe zhvillimeve të fundit politike. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button