Rënia sezonale e flokëve, sa duhet të shqetësoheni

Rënia sezonale e flokëve, tipike e tetorit, çdo vit na vë në alarm. Veçanërisht ne femrat e përjetojmë këtë fazë si një dramë kur shohim flokët e shumtë që na mbesin nëpër duar apo në krehër, që na bien nëpër dysheme apo sa herë që bëjmë dush. Në fakt, në shumicën dërrmuese të rasteve, ky zëvendësim sezonal ka të bëjë me bioritmin tonë natyror dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Flokët bien si bien edhe gjethet për t’u rritur më të bukur se më parë, të paktën kështu shpresohet. Por a është gjithmonë kështu?

Rënia sezonale ose effluvium telogen

Sa fije floku mund të bien në mënyrë normale dhe sa në rastin e ndryshimit të sezoneve? Është vlerësuar se mesatarisht secilit prej nesh i bien 50 ose 70 fije floku çdo ditë, por në vjeshtë ne mund të humbim deri në 100 ose edhe më shumë. E gjitha kjo është normale dhe nuk ka asgjë të veçantë që duhet të bëni. Megjithatë, ndonjëherë kjo rënie shkon në shifra shumë të frikshme, aq sa në ditë mund të numërohen qindra fije floku të rënë. Fenomeni është më i përhapur sesa mund ta mendoni dhe ka një emër: effluvium telogen, domethënë flokët bien me “bollëk”. Rënia mund të limitohet me kalimin e kohës, për pak ditë ose maksimumi për ndonjë muaj, por në përgjithësi efektet mbi “çatinë” e kokës mund të shihen. Shkaqet jo gjithmonë janë të qarta, ndonjëherë effluvium telogen mund të përcaktohet nga problemet endogjene, për shembull nga tiroidet, nga shkëputjet hormonale të paslindjes ose nga stresi i shumtë. Gjithsesi vlen për t’u theksuar se nëse vëreni rënie të shumtë të flokëve duhet t’i drejtoheni menjëherë dermatologut.

Rënia e flokëve, si mund të kurohet

Effluvium telogen, e cila është një rënie e “jashtëzakonshme”, shkaktohet gjithmonë nga ndryshimi i sezonit, stresi ose nga ndonjë ngjarje traumatike, mund të ndalet vetë ashtu siç edhe fillon. Në fazën akute mund të veproni nga “brenda” duke i shtuar dietës suaj të përditshme vitaminë B dhe E, dhe minerale të tilla si bakër, zink e hekur, në mënyrë që të përshpejtohet faza e rritjes së mëvonshme. Këshillohet të konsumoni fruta (edhe të thata, si arra, bajame dhe lajthi), perime, fara luledielli dhe kungulli, peshk, prodhimet e bulmetit, bishtajoret dhe vezë.

Rastet kur rënia e flokut kalon kufijtë e normalitetit

Floku rritet në normën 0.35 mm në ditë dhe ka një densitet 80 000-150 000. Një sërë faktorësh ndikojnë në rritjen dhe rënien e flokut. Konkretisht do të përmendim trashëgiminë, influencën e faktorëve patologjikë të jashtëm e të brendshëm, si për shembull faktorët dëmtues të flokëve si bojëra e kimikate të ndryshme, stresi, ndotja ambientale, sëmundje të ndryshme në organizëm, marrja e medikamenteve të caktuara etj. Në persona normalë rënia dhe rritja e flokëve ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Rënia normale e flokëve konsiderohet humbja e 70-100 fijeve në ditë, pra mbi këtë numër të flokëve rënia konsiderohet patologjike, për të cilën është e nevojshme konsultimi me mjekun specialist dermatolog. Çdo ditë pra ne humbasim deri në 100 fije floku, të cilat më pas zëvendësohen në muajt në vijim nga flokë të rinj dhe kështu floku nuk humbet volumin e tij, pavarësisht fijeve që bien. Çdo folikul ose rrënjë e flokut ndjek një ritëm të caktuar, me faza rritjeje dhe pushimi. Në përfundim të çdo faze, pushimi i flokut bie dhe një fazë e re me formim të një floku të ri fillon, duke zëvendësuar fijet e humbura.

Hudhra rigjeneron flokët

Lëngu i hudhrës jep një ndihmesë të madhe edhe në rikthimin e flokut të humbur. Pasi bëhet shtypja e mirë e hudhrës, me lëngun e përftuar bëhet masazh rreth 3 minuta në vendin ku ka rënë floku. Mbahet ashtu për 30 minuta dhe më pas koka lahet mirë, deri sa të largohet era e rëndë e hudhrës. Ky veprim bëhet një herë në javë deri në shfaqjen e rezultateve pozitive.

Lajme të ngjashme

Back to top button