Peskov: Nuk mbahet mbledhja e Këshillit të bashkëpunimit Turqi-Rusi

Zëdhënësi për media i Kremlinit Dmitry Peskov njoftoi se nuk do të mbahet mbledhja e Këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë Turqi-Rusi e cila ishte planifikuar të mbahet këtë muaj në Sankt Petersburg të Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Peskov në pyetjen nëse do të mbahet mbledhja e Këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë Turqi-Rusi në të cilën ishte planifikuar të marrin pjesë presidenti turk Erdogan dhe ai rus Putin u përgjigj: “Jo nuk do të mbahet. Nuk planifikohet një mbledhje e këtillë”.

Ai në deklaratën e tij në fund të nëntorit kishte thënë se nuk ka anulim zyrtar në lidhje me mbledhjen, por ka patur shumë pikëpyetje.

Pas rrëzimit të avionit rus i cili shkeli hapësirën ajrore turke dhe pasi që ishte ditur se ky avion është i Rusisë, qeveria në Moskë deklaroi se i ka pezulluar në mënyrë të njëanshme bashkëpunimet në shumë sfera me Turqinë.

Një avion luftarak i prodhimit rus me kombësi të papërcaktuar më 24 nëntor nga hapësira ajrore e Sirisë pati kaluar në anën turke dhe u rrëzua nga avionët turq F-16 për shkak se vazhdoi shkeljen pavarësisht 10 paralajmërimeve të bëra. Pas kësaj Rusia deklaroi se avioni i përkiste asaj. NATO-ja konfirmoi saktësinë e informacioneve të paraqitura nga Turqia në lidhje me shkeljen e hapësirës ajrore të avionit.

Në fillim të tetorit avionët luftarakë rusë patën shkelur hapësirën ajrore të Turqisë, ku pas këtij incidenti autoritetet ruse kërkuan falje duke premtuar se një gjë e tillë nuk do të përsëritet. Ndërsa Turqia ka ripërsëritur se ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore do të zbatonte rregullat e angazhimit që përfshijnë kundërpërgjigjen ushtarake.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button