Nishani: Parandaluam rekrutimet e luftëtarëve të huaj

Shqipëria ka dhënë rezultate të shpejta e konkrete në lidhje me parandalimin e rekrutimit të të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj” në Siri dhe është e përgatitur në përballimin e flukseve migratore që mund të vijnë nga vendet në konflikt.

Këto garanci i janë përcjellë shefit të NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë takimit që ai pati me Presidentin, Bujar Nishani.

Kreu i shtetit mirëpriti vijimin e politikës së dyerve të hapura të NATO – s me bindjen se zgjerimi i hapësirës euroatlantike do të prodhojë më shumë siguri dhe stabilitet, jo vetëm për vendet tona e rajonin, por edhe për Europën.

Në këtë kontekst, ai pohoi se Shqipëria e mbështeti plotësisht dhe mirëpriti ftesën për anëtarësim ndaj Malit të Zi, dhe se do të vijojë të japë të gjithë mbështetjen dhe eksperiencën e saj deri në anëtarësimin e plotë në Aleancë.

Presidenti tha se mbështet plotësisht rishikimin e buxhetit për mbrojtjen, që shkon në përputhshmëri të plotë me angazhimet e marra nga Shqipëria në kuadër të Aleancës.

Kreu i Shtetit gjithashtu e garantoi Sekretarin Stoltenberg për vijimin e politikës konstruktive të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi e pajtimit në rajon, në dobi të paqes dhe stabilitetit, transmeton Tv Klan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button