Presidentja Jahjaga: Kuvendi i Kosovës ta miratojë sa më parë Ligjin e ri për Prokurim Publik

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, 9 dhjetorit, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka deklaruar se Kosova mbetet e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të luftës kundër kësaj dukurie negative e cila kërcënon çdo shoqëri, pengon zhvillimin e shtetit, minon sundimin e ligjit dhe ngadalëson rritjen ekonomike të vendit, thuhet në njoftim, raporton Anadolu Agency.

Presidentja Jahjaga më tutje shpreh përkushtimin e saj për ta luftuar korrupsionin dhe për ta ndërtuar një sistem të pavarur të drejtësisë i cili do të jetë në shërbim të qytetarit dhe të shtetit ligjor.

“Përmes Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të themeluar dhe udhëhequr nga unë, ne kemi përmirësuar bashkërendimin dhe efikasitetin ndërmjet institucioneve të mandatuara për ta luftuar korrupsionin. E kemi përmirësuar transparencën si dhe po punojmë me shoqërinë civile për të ngritur vetëdijesimin për domosdoshmërinë e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit. Në vitet e fundit, sistemi gjyqësor ka ngritur ndjeshëm numrin e rasteve kundër zyrtarëve të lartë për raste korrupsioni”, tha presidentja Jahjaga.

Ajo si sembull jep statistikat e ‘Indikatorëve Botëror të Qeverisjes’ të Bankës Botërore, sipas të cilave, Kosova këtë vit ka përmirësuar Kontrollin e Korrupsionit për 16 përqind, krahasuar me vitin e kaluar.

Presdientja Jahjaga ka ftuar Kuvendin e Kosovës që ta miratojë sa më parë Ligjin e ri për Prokurim Publik sepse me këtë ligj, jo vetëm se do të sigurohet integriteti i domosdoshëm në procesin e prokurimit por edhe do të mundësohet prokurimi elektronik në Kosovë. Me këtë, përdorimi i parasë publike do të jetë më transparent.

“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe të përkushtuar të veprojmë konkretisht kundër korrupsionit. Kemi përgjegjësi të përbashkët që të tregojmë patriotizmin tonë duke qenë të pa kompromis në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në zbatim të ligjit për të ndërtuar shtetin e së drejtës” përfundon deklaratën e saj, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button