Qosja kritikon kryeparlamentarin Veseli dhe kreun e ASHAK-ut

Akademiku, Rexhep Qosja, ka reaguar ndaj takimit të sotëm të kryeparlamentarit, Kadri Veseli, me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), Hivzi Islami, që ka qenë kritik ndaj veprimeve të opozitës.

përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se deklarata e kryetarit të ASHAK-ut, i cili tha, me një gramatikë prej analfabeti, se problemet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të demarkacionit me Malin e Zi nuk zgjidhen ashtu si po kërkon opozita, por zgjidhen me institucione ashtu si po kërkon kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, “domethënë ashtu si duan Serbia dhe Mali i Zi!”.

“Unë kuptoj pse kryeministri i Kosovës pajtohet të krijohet edhe një shtet serb në Kosovë dhe t’i jepet një pjesë e Kosovës Malit të Zi. Njëkohësisht, unë kuptoj pse me këtë pajtim të kryeministrit të Kosovës pajtohen edhe shërbëtorët e tij të Akademisë, të cilët e kanë bërë akademik pa kurrfarë meritash shkencore dhe pa kurrfarë vlerash intelektuale!

Meqenëse kuptoj se kryetari i qeverisë së Kosovës dhe kryetari i Akademisë pajtohen me dy marrëveshje që cenojnë rëndë interesat e përtashme dhe historike të Kosovës më duhet të kuptoj edhe pajtimin e mendjes katërkëmbëshe të kryetarit të ASHAK-ut me burgosjet politike të anëtarëve, të deputetëve e të deputeteve, të opozitës!”, ka shkruar Qosja.

Ai ka vazhduar më tej se deklarata e dytë ishte ajo e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se ligji për ASHAK-un, i cili është në procedurë, do të miratohet ashtu siç do Akademia! Në këtë mënyrë, sipas tij, kryeparlamentari shpërfilli dhe përbuzi opinionin e Kosovës, institucionet e ndryshme shkencore, fakultetet, studiuesit shkencorë dhe krijuesit e arteve, që para miratimit të tij kanë të drejtën të shfaqin mendimin për këtë ligj.

“Për të qenë puna edhe më zi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shpërfilli plotësisht edhe vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët do të duhej ta diskutojnë e ta miratojnë atë ligj jo ashtu si do ajo Akademi private, të cilën qe 20 vjet e sundon, e shfrytëzon, e korrupsionon një klan mafioz, por ashtu si e duan interesat e Republikës së Kosovës”, ka vazhduar Qosja.

Sipas tij, askund në botë në shtetet demokratike kuvendet nuk miratojnë ligje duke shpërfillur ata që ka zgjedhur populli për vlerësimin dhe miratimin e tyre.

Qosja ka shkruar se demokracitë e tilla, ku ligjet aprovohen “siç tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, në botën moderne quhen demokraci skllavopronare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button