Tetova nuk ofron sigurinë e nevojshme shëndetësore për gratë shqiptare
Sot në hapësirat e komunës së Tetovës, u prezantua Analiza e matjes së sigurisë njerëzore nga prizma gjinore në komunën e Tetovës e punuar nga Qendra për të drejta të njeriut dhe zgjidhje të konflikteve dhe e përkrahur nga Zyra e UNWOMEN në Shkup. Sipas kësaj analize femra në Tetovë nuk është e sigurt nga aspekti ekonomik. Shumica e femrave nuk janë të punësuara ose punojnë në vende pune me të ardhura mujore shumë të ulëta.
Dominimi i familjes tradicionale nënkupton edhe rol adekuat të femrës në familje, si nga aspekti i obligimeve shtëpiake, ashtu edhe për nga kujdesi ndaj anëtarëve të familjes. Femra në Tetovë nuk është e sigurt nga aspekti shëndetësor. Numri i mjekëve, personalit ndihmës spitalorë, infermieret, shërbimet spitalore dhe numri i krevateve spitalor, është më i ulët se sa mesatarja në nivel republikan.
Me përqindje më të vogël të vaksinimit, me më shumë raste të HIV-it dhe numër dukshëm më i madh femrave me anemike (sidomos te gratë shqiptare), Tetova nuk ofron sigurinë e nevojshme shëndetësore.
Po ashtu kjo analizë thekson që femrat në Tetovë nuk marrin pjesë në proceset e vendimmarrjes në nivel komunal, nuk kanë pozicione udhëheqëse në pushtet dhe kanë shumë pakë dhe pamjaftueshëm informata për gjërat që janë në interesin e tyre në nivel komunal.
Analiza rekomandon monitorim të vazhdueshëm të sigurisë njerëzore sidomos të sigurisë së gruas sipas metodologjish, kritereve dhe indikatorëve paraprakisht të definuar, shfrytëzimin e të dhënave të mbledhura në krijimin e strategjive dhe politikave të komunës në segmente të caktuara ose në përgjithësi.Komisioni për barazi gjinore duhet të themelon strategjinë për punën e vetë mbi të dhënat e marra nga siguria e njeriut sidomos ajo e gruas ndërsa komuna të bëjë hulumtime të rregullta të mendimeve/perceptimeve të qytetarëve për gjendjen në lëmi të caktuara që kanë ndikim në sigurinë dhe ti shfrytëzojë të gjitha bazat e të dhënave me qëllim krijimin e një baze të veçantë me të dhëna për sigurinë njerëzore me theks të veçantë në sigurinë e gruas.