Aliti: Kumanova – rast i montuar prej shërbimeve sekrete!

Nënkryetari i Kuvendit të RM-së dhe funksionar i lartë i BDI, Rafis Aliti, në emisionin “10 Minuta” flet për rastin e Kumanovës, respektivisht luftën dyditëshe në Lagjen e Trimave.

Aliti tregon se një pjesë të anëtarëve të grupit i ka pasur ushtarë në ish-UÇK. Sipas tij, rasti i Lagjes së Trimave është patjetër t’i dorëzohet Prokurores Speciale. Ai tha se është koha që me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, qytetarët e këtij vendi ta kthejnë besimin tek institucionet.

Aliti hodhi poshtë zërat se pjesëtarët e grupit të Kumanovës kanë ardhur që të luftojnë për të holla. Ai tha se njihet edhe personalisht me pothuajse të gjithë pjesëtaret e grupit të Kumanovës, dhe se në këtë rast janë të përfshirë edhe shërbimet sekrete. “Unë mendoj se këta djem janë të manipuluar nga shërbimet sekrete të rajonit dhe ka dyshime se edhe shërbimi sekret i Republikës së Maqedonisë ka pasur kontakte me ta. Dhe, them se këta djem janë të manipuluar, pasi që unë i njoh kanë qenë të gatshëm në 2001 por edhe pas që për çështjen kombëtare të japin prej vetvetes gjithçka”, theksoi Aliti.

Aliti nuk harroi të cekë edhe rastet e Sopotit, Vreshtave të Rashtakut, si dhe rastin “Monstra”, për të cilët ai konsideron se janë raste të montuara. Ai në luftën e vitit 2001 ishte i njohur edhe me nofkën “Komandant Mësuesi”, kurse për njërin prej të vrarëve në rastin e Kumanovës tha se ka qenë pikërisht luftëtar i tij.  Nënkryetari i Kuvendit thotë se gatishmëria dhe trimëria e anëtarëve të grupit të Kumanovës është keqpërdorur, dhe do të duhet të zbardhet se kush e ka keqpërdorur.

“Unë e hedh poshtë atë tezën që është thënë nëpër mediume, se kanë qenë të paguar , që kanë ardhur për para e kështu me radhë. Për shkak se askush në këtë botë nuk do të hynte me një lagje, siç është Lagja e Trimave në Kumanovë, i vetëdijshëm se aty do të zhvillohen luftime, i vetëdijshëm se aty mund pikërisht, pavarësisht çfarë shkathtësie ka si luftëtar, që ai të vritet atje. Dhe, cili do të ishte kuptimi që dikush të luftojë për para”, tha Aliti në “10 minuta” të TV21.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button