Pavarësia e mediave imediate për Maqedoninë!

Cënimi i shprehjes së lirë dhe pavarësia e mediave në Maqedoni në vazhdimësi ka qenë objekt i kritikave të shumta të organizatave ndërkombëtare por edhe të BE-së duke e vendosur lirinë e shprehjes si një nga kushtet kryesore për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, shkruan DW.

Debatet e hapura, që po zhvillohen me ndërmjetësimin e ekspertit belg Piter Van Haute kanë për qëllim ndërtimin e një sistemi të shëndoshë, ku do të realizoheshin reformat në media, që para së gjithash do të garantonin shprehjen e lirë, pavarësinë e gazetarit dhe pavarësinë e mediave nga pushteti. Komunikologët vendas vlerësojnë se debati për reformat në media po keqpërdoret për politizim të rëndë dhe se nëse kjo dukuri nuk ndërpitet në Maqedoni do të vazhdojö terri informativ dhe cenimi i shprehjes së lirë në media.

Dëshirë për të kontrolluar mediat

Çështja e mediave është vënë mes zjarrit të pushtetit dhe opozitës, meqë secila nga këto përmes ofertave, që ofron, dëshiron të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në dy institucionet kyçe në fushën e mediave -Agjencinë e Mediave dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë si servis publik, thotë Tamara Çausidis kryetare e sindikatës së pavarur të gazetarëve. Në Maqedoni duhen zgjidhje sistemore për rregullimin e sferës së mediave dhe jo vetëm ndryshime të kuadrove. Ndryshimet duhet të kenë për qëllim kthimin e dinjitetit të gazetarëve, ndërprerja e brutalitit ndaj tyre, që ata të mund të punojnë lirshëm , thotë Çausidis.

“Të miratohet ligj me forcë, me përkufizime, që shkelin lirinë e shprehjes do të thotë hapje të dyerve të cenzurës. Disa propozime, që dëshirohen të inkorporohen në ligjin për media, i ngjasojnë arkivolit për të varrosur gazetarinë edhe ashtu të vrarë në Maqedoni”, deklaron Tamara Çausidis.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, ka shprehur disa herë revoltën për mospjesëmarrjen aktive të esnafit gazetaresk në bisedimet për çështjen e mediave. Sipas tij fjalën përfundimtare për reformat në media duhet ta kenë gazetarët.

”Kohë për reforma ka, por çështja kryesore qëndron në faktin se a ka vullnet politik, që ato të bëhen sipas standardeve ndërkombëtare”, thotë Selmani.

Politika larg mediave

Profesoresha universitare Snezhana Tërpevska vlerëson se në Agjencinë e Mediave duhet të bëhen reforma rrënjësore që sipas saj nënkupton që në përbërjen e tij të jenë ekspertë të mediave dhe jo të deleguar të partive politike, që më pas agjencinë e keqpërdorin për qëllime politike.

Në të njejtin mendim është edhe komunikologu Sefer Tahiri, sipas të cilit Agjencia e Mediave duhet të jetë organ, i cili do të udhëhiqet nga njerëz jo partiak.

“Agjencia e Mediave duhet të funksionojë si organ i pavarur nga qendrat politike sidomos nga pushteti. Zgjidhja që propozohet që përbërja e strukturës së Agjencisë për Media të zgjidhet me dy të tretat e votave në Parlament, është një propozim i mirë, por që nuk jep garanci se në këto pozicione do të vijnë sërish persona të deleguar drejtpërsëdrejti nga politika”, shprehet Tahiri.

Partitë me qëndrime të kundërta

Partia në pushtet VMRO-DPMNE vlerëson se propozimet e opozitës, që i japin Agjencisë së Mediave kompetenca të shumta përkatësisht që drejtori i saj të zgjidhet nga rradhët e opozitës janë edhe një dëshmi se opozita synon partizimin e mediave dhe shkeljen e lirisë së shprehjes. Madje kjo parti e ka quajtur edhe si fashizëm propozimin që drejtori i Agjencisë të ketë të drejtën, që mediave t’ua marrë liçencën e punës.

“Media të lira do të thotë respektim i lirisë së shprehjes, gazetari profesionale, të pavarur, duke respektuar kodekset e etikës. Maqedonia si shtet kandidat i BE-së ka për obligim të respektojë lirinë e shprehjes. Ne si parti në pushtet angazhohemi që Agjencia e Mediave të ketë për obligim të promovojë vlerat e vetërregullimit të mediave dhe asgjë më shumë”, thotë Ilija Dimovski, anëtar i grupit të punës nga VMRO-DPMNE.

Akuzat e pushtetit janë të pabaza, pasi ajo në të kaluarën ka dëshmuar ndërhyrje në pavarësinë e mediave, thotë Robert Popovski, anëtar i grupit të punës nga Lidhja Social Demokrate opozitare.

“Maqedonisë i nevojitet departizimi dhe demokratizimi i mediave. Konsideroj se duhet të sigurohen kushte elementare që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në prill të vitit të ardhshëm të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike. Që të arrihet kjo na nevojiten media, të cilat do të informojnë në mënyrë profesionale, objektive dhe transparente”, thotë Popovski.

Dy partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH, pjesëmarrëse në bisedimet për tejkalimin e krizës politike, thonë se do të mbështesin çdo propozim, që vjen nga bashkësia ndërkombötare, që do të garantonte lirinë dhe demokratizimin e mediave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button