Lëvizja Besa: Drejtësi selektive me standarde të dyfishta

Gjatë ditëve të fundit ishim dëshmitarë të disa vrasjeve të njëpasnjëshme, dukuri kjo jo e shpeshtë në Maqedoni, thonë nga Lëvizja Besa.

“Sipas të dhënave zyrtare të organeve të rendit, krahasuar me vitin e kaluar, numri i vrasjeve është rritur ndjeshëm, sidomos në zonat e banuara me shqiptarë, pra, vrasjet ndërmjet shqiptarëve. Ajo që është shqetësuese dhe është goditje e rëndë për organet e rendit dhe drejtësisë në Maqedoni është fakti se në të shumtën e rasteve autorë të krimit janë persona me precedencë penale. Personat e tillë, në vend se ta vuajnë dënimin për veprat e tyre, ata vazhdojnë të jenë në liri, ndërsa askush nuk jep sqarime se si është e mundur që persona të tillë vazhdojnë t’i ikin drejtësisë dhe të mbeten të paprekshëm nga ligji”, reagojnë nga Lëvizja Besa.

Sipas tyre kjo është edhe një dëshmi për gjendjen kaotike shoqërore në të cilën ndodhet Maqedonia, është refleksion edhe i krizës sociale e politike që ndodhet vendi, por mbi të gjitha, është pasojë e mosfunksionimit të drejtësisë, veçanërisht në rastet kur kemi të bëjmë me vrasjet ndërmjet shqiptarëve.

“Vetëm brenda kësaj jave, në dy incidente të ndara, tre shqiptarë u vranë nga persona që dyshohet se janë bashkëkombës të tyre. Nëse dikur ishin aktuale rastet kur të rinjtë shqiptarë vriteshin për motive të ulëta nga pjesëtarë të rendit, – siç ishte rasti në Gostivar, ndërsa ky shtet dhe kjo qeveri, i mbronte vrasësit para se të kryhej ekspertiza, duke deklaruar se policët e kanë kryer një akt të tillë në “vetëmbrojtje”, sot kjo aparaturë shtetërore, si pasojë e drejtësisë selektive, krijon parakushte dhe rrethana që të rritet numri i vrasjeve ndërmjet shqiptarëve”, thonë nga Lëvizja Besa.

Në këto rrethana, sipas Lëvizjes Besa, sa janë paradoksale, po aq janë edhe të paqëndrueshme deklarimet e udhëheqësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një prej të cilëve është nga radhët e partisë shqiptare në pushtet, Zemri Qamili i BD-së, se situata e sigurisë në Maqedoni është stabile.

“Si mund të jetë stabile gjendja e sigurisë kur brenda një jave ndodhin dy vrasje makabre, ndërsa në të dyja rastet viktimat janë shqiptarë dhe autorët e krimit, po ashtu, dyshohet të jenë shqiptarë? Sot të gjithë atyre që shtrojnë pyetje se çfarë është duke ndodhur me shqiptarët e Maqedonisë, duhet thënë qartë se ata nuk ka kush t’i mbrojë, ngaqë edhe ata që do të duhej të kujdeseshin për mirëqenien dhe sigurinë e tyre, pra, partia shqiptare në pushtet, janë shndërruar në stimulues të vrasjeve ndërshqiptare, që ndodhin për motive politike, brenda degëve të tyre partiake”, thuhet në deklaratën e Lëvizjes Besa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button