Zvarritja e marrëveshjes për përfitime zgjedhore

Partitë politike në Maqedoni, në veçanti ato në pushtet, qëllimisht zvarrisin bisedimet për zbatimin e marrëveshjes politike për të ruajtur pozicionet e tanishme për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar ngecjet në bisedimet për çështjen e mediave që kanë nisur tre javë më parë, njofton REL.

Që nga arritja e marrëveshjes në qershor, partitë me shumë vështirësi kanë arritur të formojnë Gjykatën Speciale për hetimin e aferës së përgjimeve që edhe nxiti krizën politike, pastaj ndryshimet në kodin zgjedhor, zgjedhjen e dy ministrave nga radhët e opozitës në kuadër të qeverisë kalimtare, por çështja e mediave ka mbetur pezull tashmë një kohë të gjatë për shkak të dallimeve mes partive.

Analisti Mitko Gaxhovski, thotë se kjo bëhet me qëllim që partitë të ruajnë ndikimin ndaj mediave që tashmë kontrollojnë.

“Partitë politike, këtu para se gjithash mendoj në VMRO DPMNE-në, ka agjendën e saj që nënkupton zvarritjen e tërë procesit për zbatimin e marrëveshjes, pasi sa më shumë të shtyjnë aq më pak kohë mbetet për realizimin e saj”.

“Me këtë partia në pushtet tenton të ruaj sistemin e instaluar prej saj në të gjitha sferat, si në media, gjyqësi, legjislacionin zgjedhor, e kështu me radhë, pra të ruaj formën e tanishme të funksionimit të institucioneve deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 24 prill”.

“Pra, sa më pak reforma, aq më shumë përfitime në zgjedhje, pavarësisht se ato janë të paligjshme dhe të papranueshme nga të gjithë“, thotë Mitko Gaxhovski.

Njohësi i çështjeve të komunikimit, Xhelal Neziri, thotë se fajtorë për debatin që po zhvillohet për mediat janë edhe gazetarët të cilët sipas tij, kanë lejuar që partitë të rregullojnë çështjen e mediave.

Ai thotë se në bisedime duhet të përfshihen edhe gazetarët pasi është absurde që partitë, ato që kanë shkatërruar mediat, tani të rregullojnë këtë sferë.

“Këto negociata që zhvillohen mes pushtetit dhe opozitës sikur konfirmojnë tezën që qarkullon në opinion se në Maqedoni ka gazetarë që janë proqeveritar dhe gazetarë që janë opozitar, apo që janë të lidhur me pushtetin dhe që janë të lidhur me opozitën”.

“Me këtë i bie që vet partitë politike negociojnë në vend të gazetarëve për çështjen e mediave. Vlerësoj se është koha e fundit që në negociatat që zhvillohen për mediat të kyçen drejtpërdrejtë gazetarët, që të kemi dy palë, gazetarët dhe politikanët pasi vetëm një format i tillë i negociatave mund të sjellë një zgjidhje afatgjate“, thotë Neziri.

Dallimet kryesore mes partive kanë të bëjnë me kompetencat e Agjencisë së Mediave që duhet të jetë organi kryesor për mbikqyrjen dhe rregullimin e punës së mediave.

Përveç për agjencinë, partitë po diskutojnë edhe për trasnmetuesin publik, shkarkimin e drejtuesve aktual dhe mënyrat për zgjedhjen e organeve të reja.

Pas presioneve të shumta, partitë janë pajtuar që të merret në konsideratë edhe mendimi i shoqatave të mediave, por sërish mbeten dallimet nëse përfshirja e tyre duhet të jetë direkte ose jo. /REL

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button