Mustafa: Rugova, themeltar i shtetit të Kosovës

Kryeministri kosovar Isa Mustafa, i cili është edhe kryetar i LDK-së bashkë me kryesinë e partisë kanë bërë homazhe pranë varrit të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova,

Kryetari Mustafa dhe anëtarët e Kryesisë së LDK-së, ka vënë kurora lulesh, si dhe kanë përkujtuar jetën dhe veprën e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, themeluesit dhe liderit të LDK-së, Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast theksoi se ish presidenti Rugova, është themeltar i shtetit të Kosovës, burri i madh i këtij vendi, i cili me vizionin, mençurinë, urtësinë dhe vendosmërinë e pashoq, e udhëhoqi popullin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke e bërë të mundshëm realizimin e këtyre aspiratave shekullore.

“Presidenti Ibrahim Rugova, është arkitekt i padiskutueshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ai u vu në ballë të rezistencës së popullit të Kosovës, të elitës intelektuale dhe të gjitha forcave të atdhetarëve, duke fituar simpatinë dhe përkrahjen e botës demokratike perëndimore. Ky bashkim vlerash, solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi Mustafa.

Duke iu referuar trashëgimisë intelektuale, politike dhe shpirtërore që Presidenti Rugova ka lënë pas vetes, kryeministri Mustafa theksoi se me jetën dhe veprën e tij kolosale, Presidenti Rugova është bërë sinonim dhe simbol i epokës që solli pavarësinë e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim maksimal do të vazhdojë rrugën e konsolidimit të shtetësisë, integrimit në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrugë e nisur nga Presidenti Ibrahim Rugova, e cila po vazhdohet me vendosmëri nga qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.

Të pranishëm në këto homazhe ishin edhe pasardhësit e Presidentit Rugova, Mendim dhe Teuta Rugova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button