Izrael, fillon stërvitja ushtarake në kufi me Gazën

Ushtria izraelite sot në mëngjes filloi stërvitje ushtarake në kufirin me Rripin e Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve që siguroi gazetari i AA-së nga Zyra e zëdhënësit të ushtrisë izraelite, qëllimi i stërvitjes ushtarake i udhëhequr nga Shefi i Shtabit izraelit Gadi Eizenkot është “për të ruajtur aftësinë dhe gatishmërinë së ushtrisë kundër kërcënimeve”.

Nuk u bë e ditur se sa ditë do të zgjasë stërvitja ushtarake dhe sa ushtarë do të marrin pjesë.

Mediat izraelite njoftuan se qëllimi i ushtrimit ushtarak i cili është drejtuar kah kufiri i Gazës është “parandalimi i qitjes së raketave dhe artilerisë në drejtim të rajoneve kufitare, sulmeve nëntokësore dhe mbitokësore ndaj Izraelit, dhe parandalimin e hapjes së zjarrit kundër ushtarëve izraelitë nga rrugët dhe stacionet e reja të formuara gjatë kufirit nga ana e Hamas-it”.

Izraeli më 7 korrik me arsyetimin se “është hedhur raketë”, filloi sulmet në Gazë, të cilat zgjatën 51 ditë. Në këto sulme jetën e humbën 2 mijë e 157 palestinezë në mesin e të cilëve kishte shumë fëmijë dhe gra, ndërsa ishin plagosur mbi 11 mijë persona.

Në këto sulme ishin shkatërruar tërësisht 17 mijë e 200 shtëpi, 73 xhami dhe 24 shkolla. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 500 mijë veta ishin detyruar të strehohen në shkolla.

Nga pala izraelite ishte bërë e ditur se jetën e kanë humbur jetën gjithsej 71 persona, prej të cilëve 66 ushtarë, 4 civilë dhe një shtetas i huaj.

Tensionet në rajon janë përshkallëzuar si pasojë e sulmeve të kolonëve hebrenjë ndaj palestinezëve dhe bastisjeve të tyre ndaj xhamisë Al-Aksa. Që nga fillimi i tetorit janë vrarë 108 palestinezë. Në të njëjtën periudhë janë vrarë 21 shtetas izraelitë.

Jerusalemi Lindor dhe Bregu Perëndimor ndodhen nën okupimin izraelit që nga viti 1967. Në Jerusalemin Lindor i cili ndodhet nën okupim jetojnë 200 mijë kolonë hebrenjë, ndërsa në Bregun Perëndimor 400 mijë kolonë hebrenjë.

Sipas të Drejtës Ndërkombëtare të gjitha vendbanimet hebrenje këtu llogariten si të paligjshme. Rripi i Gazës që nga viti 2006 është nën okupimin e Izraelit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button