Muftiu i Manastirit përgënjeshtron letrën e qytetarëve kundër zërit të ezanit

Nëpërmes një letre të hapur qytetarët e Manastirit shfaqin shqetësim nga zëri i autoparlanteve të Kishës dhe Xhamisë.

“Ne nuk jemi kundër feve, por nuk e dimë se si nuk e kanë të qartë ata se shërbimin duhet ta kryejnë në objekte fetare dhe jo nëpërmes autoparlanteve. Nuk e kemi të qartë sjelljen e Kishës dhe Xhamisë. Zhurma më e madhe është pasdite. Nuk e dimë pse po e bëjnë këtë?!”-shkruhet në letrën e qytetarëve, transmeton Portalb.

Në prononcimin e tij për Portalb myftiu i Manastirit, Pëllumb Veliu përgënjeshtron komentet e qytetarëve. “Nuk kemi konflikt me askënd. Njëjtë sikur shekuj më parë, myslimanet në namaz ftohen me ezan, atë e praktikojmë edhe tani. Është çështje tjetër që dikush në Manastir i periudhës komuniste, janë munduar që në mënyrë jo njerëzore dhe jo ligjore të ndërpret ezanin. Ne nuk deshëm të mendojmë për presione dhe nga viti 2006 filluam me aplikimin e ezanit në xhamitë që punojmë, edhe ezani shkon ashtu siç e kërkojnë kushtet e sotme, me autoparlant. Zhurma që krijohet prej automjeteve dhe prej faktorëve të ndryshëm nuk mundëson thirrjen e ezanit nga zëri i njeriut- pa autoparlant”, theksoi Veliu.

Sipas tij, ezani u ka penguar disa qarqeve, sidomos qarqeve kishtare, të cilët u kanë urdhëruar kishat ditë për ditë sidomos gjatë të dielave kur i kanë meshat t’i përcjellin me autoparlante që zgjasin 2-3 orë.

Në letrën e qytetarëve thuhet se nëpërmes autoparlanteve dëgjohen edhe ligjëratat që mbahen në objektet fetare.

Ndërkaq myftiu Veliu thotë se asnjëherë ligjëratat e xhamisë nuk janë transmetuar përmes autoparlantit, sepse nuk ka pasur nevojë. “Ligjëratat u dedikohen atyre që janë brenda në xhami. Kështu vlerësoj se ajo është një gënjeshtër absolute”, tha për Portalb Veliu.

Nuk është hera e parë që qytetarët e Manastirit të reagojnë në lidhje me “zhurmën” që del nga objektet fetare./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button