“Ditët e Naimit” nesër hapin siparin para Qendrës së kulturës në Tetovë

Në Tetovë dhe në Tiranë, nesër do të mbahet Edicioni i XVII I Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Në këtë edicion do të zhvillohen një sërë aktivitetetesh letrare, artistike dhe kulturore. Ardhjen në këtë edicion e kanë konfirmuar 35 poetë nga vende të ndryshme të botës si: Kanada, Meksikë, SHBA, Kebek, Kosta Rikë, Portorikë, Indi, Pakistan, Danimarkë, Holandë, Gjermani, Itali, Francë, Belgjikë, Izrael, Palestinë, Indi, Ukrainë, Bullgari, Turqi, Slloveni, Kroaci, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe 20 poetë nga e gjithë hapësira shqiptare, pastaj aktorë, gazetarë e dashamirë te poezisë, të Festivalit të Naim Frashërit.

Hapja festive e Edicionit të XVII do të bëhet me anë të ndezjes së fishekzjarrëve para Qendrës së Kulturës, më 17 tetor, në orën 19.30. Në fillim do të vendosen kurora lulesh para shtatores së poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri” që ndodhet në qendër të Tetovës, të cilin Drejtoria, Festivalit e pat ngritur në 100 vjetorin e vdekjes së tij. Në Sallën e Madhe do të bëhet hapja solemne e Programit të Edicionit të XVII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, nga ana e Drejtorit të Festivalit, Shaip Emërllahu.

Më pas me një fjalë përshëndetëse do tu drejtohet të pranishmëve ish ministri I kulturës së Republikës së Shqipërisë,  Visar Zhiti. Ndërkaq, në orën letrare ‘Globi poetik’ poetët e shumtë do të lexojnë krijmet e tyre në dy gjuhë: shqip-anglisht, si dhe do të jepen disa performanca muzikore. Brenda kësaj ore, Drejtori i Festivalit do t’ia dorëzojë çmimin e madh “Naim Frashëri” dhe titullin Anëtar Nderi të Festivalit laureatit nga Franca, Athanas de Thracy, i cili kohë më parë u shpall nga Juria e Festivalit.

Të theksojmë se, titullin Anëtarë Nderi të Festivalit deri me sot e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare, Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forstrom (Finlandë) etj. Në ditën e dytë të Programit, në orën 10.00, në amfiteatrin e USHT-së, do të përurohet laureati, Athanas Wntchev de Thracy. Për veprën e tij do të flasë kryetari i Jurisë, prof. dr. Agron Tufa, ndërsa rektori Vullnet Ahmeti do tia ndaj atij logon e Universitetit. Më pas, poetët do të nisen me autobus për në Shqipëri. 

Pjesën e dytë të Programit poetët do ta realizojnë në Krujë dhe në Tiranë. Në Krujë do ta mbajnë orën letrare ‘Poetë dhe vargje’, kurse në hotelin International Tirana në Tiranë do të mbahet nata e mbylljes së Festivalit. Në Prishtinë, Festivali organizohet nëbashkëpunim me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Atje pas performancave  leximore të poezive do të ndahen edhe çmimet tjera letrare të Festivalit, siç janë: ‘Ditët e Naimit’, ‘Menada’, ‘Oaeneumi’ dhe ‘Qiriu i Naimit’.

Drejtoria edhe në këtë edicion ka botuar antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës me titull ‘Fytyrë e heshtur’, të përgatitur nga Shaip Emërllahu. Hapja e Edicionit të XVII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” do të transmetohet si gjithmonë drejtëpërsëdrejti në Televizionin shtetëror të Maqedonisë – Programi në gjuhën shqipe.

Lajme të ngjashme

Back to top button