Përdhosja e festave kombëtare “abazllëk” i madh

Ngjarja e fundit gjatë shënimit të 107 vjetorit të Ditës së Alfabetit shqip, ku në mbrëmjen gala u nda çmimi “Abazi”- emër ky i përdorur nga kreu aktual i BDI-së Ali Ahmeti gjatë ilegalitetit, ngjalli shumë reagime në opinion.

Paraprakisht në vendin e ngjarjes kishte reaguar edhe profesori Lebit Murtishi së bashku me studentët Blerona Brao dhe Arbër Arsllani.

Rastin në fjalë e kanë dënuar edhe analistët. Sipas tyre nuk mbeti asgjë pa u partizuar. Ata thonë se politikanët po i përdorin manifestimet kombëtare për t’u dukur të rëndësishëm, në moment kur nuk kanë vepra me çka në të vërtetë do të duhej të tërhiqnin vëmendjen.

Ramadan Ramadani nga instituti “Nisma” mendon se kjo ndodhi është skandaloze.

“Ky rast vetëm mund të shërbejë për të etabluar në gjuhën shqipe një term specifik për përdhosjen partiake të manifestimeve kombëtare: abazllëk, ose në shumës: abazllëqe. Pra në vend se përgjithshëm të thuhet “budallallëk”, prej tani mund edhe të specifikohet me “abazllëk”, tha për Portalb Ramadani.

Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, vlerëson se nuk ka festë apo institucion që nuk është partizuar.

“Festat e nëntorit, universitetet, shkollat, institucionet fetare, administrata u takojnë vetëm militantëve partiak. Po nuk je pjesë e partisë ke gjasa të ngelësh jo vetëm pa buke, por edhe pa identitet. Po nuk je ithtar i Abazit i bie se nuk je shqiptar, nuk ke të drejtë të festosh festat e nëntorit, nuk ke të drejtë të punësohesh. Për këtë partizim nuk janë fajtor vetëm partitë politike, por edhe vetë qytetarët shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre nuk janë viktima të partizimit, por bashkëpjesëmarrës”, deklaroi për Portalb Neziri.

Publicisti Iljasa Salihu thotë se politikanët e dështuar në çdo fushë, festat apo përvjetorët e rëndësishme i shfrytëzojnë për t’u dukur ende të rëndësishëm në sytë e popullit, sepse në atmosfera të tilla emocioni i të gjithëve është më i pranishëm se ndonjëherë më parë.

“Dihet, emocioni është një armik i arsyes. Mirëpo, ata që me duart e tyre e vranë Abazin, sikur harruan se edhe vetëm me emocion mund t’ia sheh populli malin e poshtërsive e të mos flasim më me arsye. Ata kanë pushtetin dhe kanë mundësi t’i japin ngjyrë partiake festave dhe të mëtojnë të pastrohen sado pak. Kurse, pjesa e popullit që sheh me sy dhe mendje e ka në dorë logjikën e shëndoshë, ku nuk do të pështiret me festat, por me ata që pandehin të përfitojnë edhe përgjatë festave të rëndësishme, siç qe rasti me përvjetorin e alfabetit. Vardisjet e tyre në këto festa janë një dëshmi se sa të mjerë janë bërë!”, potencoi Salihu.

Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një reagimi me shkrim i kishte vlerësuar si të pavërteta pohimet për politizimin e Festës së Alfabetit shqip dhe për kërcënimet ndaj disa studentëve gjatë shënimit të kësaj feste në Manastir. Në reagimin e BDI-së thuhet se kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk ka qenë prezent në koncertin e organizuar në Manastir, dhe nuk ka kurrfarë kuptimi që atij apo truprojeve të tij t’i mveshet diçka e paqenë. Të gjitha këto pretendime i hedhim poshtë si të pavërteta dhe tendencioze, të cilat kanë për qëllim zbehjen e rëndësisë së madhe kombëtare që ka Festa e Alfabetit”, thuhet në reagimin e partisë së Ahmetit./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button