Trazirat politike dëmtojnë edhe më shumë ekonominë e brishtë të Kosovës

Zhvillimet politike të javëve të fundit që po ndodhin, bllokada aktuale institucionale, përplasjet në mes të pozitës dhe të opozitës, trazirat që po ndodhin e parregullsi të panumërta ndikojnë vetëm negativisht në ekonominë e vendit, e në veçanti në thithjen e investimeve të huaja, shkruan Tesheshi.

Sipas njohësve të fushës së ekonomisë, përplasjet në Kuvendin e Kosovës kanë dërguar sinjale negative në arenën ndërkombëtare, sepse ato janë publikuar nga mediat në gjithë botën dhe kjo e rritë edhe më shumë perceptimin negativ për Kosovën si një vend jo i favorshëm për të investuar.

Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se situata e fundit pas bllokadës totale të opozitës kosovare dhe pas protestave të dhunshme nga protestuesit duke dëmtuar institucionet shtetërore, padyshim se ka një kosto të lartë të perceptimit të investitorëve të huaj si një vend i destabilizuar.

“Madje në të gjitha mediet botërore me renome, Kosova ishte në top lajme si vend jashtëzakonisht i destabilizuar. Paramendoni a kishit investuar ju në një vend që për çdo dite është arenë protestash, fyerjesh kërcënimesh, shantazhit?”, thotë Beqiri.

Sipas tij Kosova ka humbur betejën për thithjen e investimeve të reja, por ajo çka është më shqetësuese  është se e ka shumë të vështirë t’i mbajë edhe ata investitorë që kanë investuar tashmë.

“Pastaj dëmet marramendëse që po shkaktohen nga protestat kanë një kosoto  shtesë për buxhetin edhe ashtu të varfër. Qeveria e vendit është momenti i fundit të reflektojë dhe të ulet në tavolinën e bisedimeve me opozitën pa kurrfarë kushti, në mënyrë që të shpëtohet vendi nga kolapsi ekonomik”, theksoi Beqiri.

Ai thotë se vendi është në prag të pakënaqësisë totale qytetare si pasojë e krizës ekonomike, dhe se që nga paslufte niveli i papunësisë është i njëjtë deri në 40%, përderisa sipas tij, në anën tjetër elita politike pa përjashtim pozitë dhe opozitë janë bërë milionerë.

Investitorët ikin nga vendet jostabile dhe të pasigurta

Myzejene Selmani, ekonomiste dhe ish-kryetare e Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës ka thënë për tesheshi.com se në mënyrën se si po qeveriset Kosova me skandale nga më të ndryshmet dhe jostabilitet politik dhe me kontroll dhe mosfunksionim si duhet të sistemin të drejtësisë, nuk mund të ketë ardhje të investimeve. Ajo thotë se këtë situatë e kanë rënduar edhe më shumë zhvillimet në Kuvendin e Kosovës.  Sipas saj, investitorët që planifikojnë të investojnë dhjetëra milionë euro apo edhe më shumë kërkojnë një vend të sigurt dhe ku sundon ligji.

“Ndikimet negative nga mosfunksionimi i kuvendit dhe protestat e dhunshme janë shumë të dëmshme në aspektin ekonomik. Edhe ashtu njihemi si vend jostabil politik me gjykata politike, politikanë të korruptuar, të shantazhuar më nuk ka investime në Kosovë me këtë klasë politike”, thotë Selmani.

Ja si u “tremben” investitorët gjermanë nga protestat

Në lidhje me situatën e krijuar ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermano – Kosovare (OEGJK), Samir Krasniqi. Ai përmes një opinioni të tij dërguar medieve shkruan se ajo çfarë po u ofrohet për momentin investitorëve të huaj të mundshëm janë pamje dhune, gaz lotsjellës, koktej molotovi, thyerje veturash, demolime, arrestime, e që sipas tij, këto janë mesazhet më të këqija që mund t’i jepen një investitori potencial.

Krasniqi ka treguar se në zyrat e OEGJK-së, që gjenden në qendër të qytetit, afër sheshit “Zahir Pajaziti”, të mërkurën kishin pritur përfaqësues të një kompanie gjermane, e cila që moti interesohet për të investuar në Kosovë dhe duke biseduar me ta, jashtë zyrës dëgjoheshin fishkëllimat, britmat, krismat dhe ndihej era e gazrave, të cilat i kanë përcjellë gjatë gjithë takimit.

“Kështu përçohet imazh negativ për Kosovën, ose thënë më mirë, kështu forcohet edhe më shumë imazhi negativ që ka Kosova te investitorët e shteteve të zhvilluara. Thjesht, aty ku ka trazira politike nuk mund të ketë investime. Trazirat politike janë helm për ekonominë”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se investitorët në radhë të parë kërkojnë siguri dhe stabilitet ekonomik dhe se Investitorët e mundshëm do të largohen nga ideja e investimit në një vend jostabil. Sipas tij, investitorët që tanimë kanë investuar në Kosovë, i vëmë para dilemës, se a janë investimet e tyre të sigurta dhe mbi të gjitha a janë punëtoret e tyre të sigurt.

Ai tutje ka shtuar se investitorët e huaj që aktualisht janë në Kosovë, kanë argument të fuqishëm të fillojnë të ndjehen të pasigurt dhe të dyshojnë në funksionalitetin e shtetit dhe në stabilitetin politik.

Sipas tij, lobimin që është bërë nga të gjithë duke filluar nga institucionet e shtetit, pozita dhe opozita, komuniteti i biznesit dhe qytetarët e thjeshtë, për të sjellë investitorë në vendin tonë, me pamje të dhunës që po i përçojmë botës, do ta kthejmë në gjendjen zero.

“Kjo do të thotë se prapë duhet filluar nga e para t´i bindim investitorët e huaj se Kosova është një vend i qëndrueshëm dhe nuk ka krizë politike, e më pastaj të konkurrojmë me vendet e rajonit për përparësitë që ofron vendi ynë! Nëse nuk ka zhvillim ekonomik nuk ka shtet stabil”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button