Edhe dy muaj arrest shtëpiak për Oliver Ivanoviçin

Gjykata Themelore e Mitrovicës së veriut ia ka vazhduar arrestin shtëpiak për edhe dy muaj, liderit të Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç, ka konfirmuar për Anadolu Agency, Dragana Nikoliç-Solomon, zëdhënësja e EULEX-it, raporton Anadolu Agency.

Njëkohësisht, nënkryetarja e Iniciativës Qytetare SDP, Ksenija Bozhoviç përmes telefonit ka deklaruar për AA se, vendimi për vazhdimin e arrestit shtëpiak është marr me 17 nëntor dhe se Ivanoviç do të mbetet nën këtë masë deri më 17 janar 2016.

Sipas saj, gjatë muajit të ardhshëm do të duhej të përfundonin të gjitha intervistimet e dëshmitarëve dhe të gjitha palët t’i japin deklaratat e tyre përfundimtare në procesin gjyqësor i cili ka filluar në dhjetor 2014.

Oliver Ivanoviç dhe katër të pandehur tjerë serb, janë të akuzuar për krime lufte dhe vrasje të rënda të shqiptarëve, në Mitrovicë, në vitet 1999 dhe 2000.

Përveç Ivanoviç, aktakuza është ngritur edhe kundër, Dragolub Delibashiç, kolonelit në pension të MPB-së së Serbisë, i cili ka qenë komandant i policisë në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe kundër Ilija dhe Nebojsha Vujaçiç dhe Aleksandar Lazoviç.

Lideri i Iniciativës Qytetare SDP, Oliver Ivanoviç gjendet në paraburgim nga 27 janari 2014 për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepra penale më 14 prill 1999. Ivanoviç, sipas aktakuzës, ishte udhëheqës i njësitit policor paramilitar dhe së bashku me komandantin e atëhershëm të policisë në Mitrovicë, Dragolub Delibashiç, ngarkohen për veprën e nxitjes dhe bashkëpjesëmarrjes në kryerjen e veprave të rënda penale, vrasje dhe tentim vrasje, si dhe dëbim të shqiptarëve në Mitrovicë, gjatë trazirave, në shkurt të vitit 2000. Tre të pandehurit tjerë, vëllezërit Vujaçiç, Ilija dhe Nebojsha, si dhe Aleksandar Lazoviç, sipas aktakuzës, ngarkohen me vrasje të rënda, tentim vrasje dhe shkaktim të lëndimeve të rënda trupore.

Sipas të dhënave të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, gjatë trazirave të shkurtit 2000, serbët kishin vrarë 10 shqiptarë, duke plagosur 25, torturuar në mënyrë barbare 93 shqiptarë të tjerë përderisa 11.364 të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Oliver Ivanoviç është arrestuar më 27 janar 2014 dhe në paraburgim i ka kaluar 20 muaj, ndërkohë është transferuar në arrest shtëpiak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button