Gazeta KOHA, sot shënon 9 vjetorin e themelimit të saj
Gazeta ditore KOHA, sot i mbush 9 vjet nga themelimi i saj. Për herë të parë ajo ka dalë në skenën mediatike, më 22 nëntor të vitit 2006.
Koha përgjatë këtyre viteve nga lexuesit e përditshme është vlerësuar si ndër gazetat më serioze në Maqedoni. Këtë të fundit e dëshmojnë edhe anketat e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), ku dy vitet e fundit KOHA, është vlerësuar si gazeta më e besueshme në Maqedoni.
“Punën e vazhdueshme 9 vjeçare dhe profesionale të gazetës KOHA më së miri e vërteton anketa e fundit e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), duke e renditur atë për së dyti herë si median e parë në Maqedoni. Për më tepër kjo fiton në peshë, pasi KOHA vazhdon t’i lejë prapa edhe mediat kryesore maqedonase si Dnevnik, Utrinski, Vest, Slloboden Peçat dhe të tjera. Deri te ky primat nuk është ardhur ashtu lehtë, por me një sakrificë të pakompromis të gazetarëve dhe menaxhmentit të gazetës KOHA, sidomos kur nga dita në ditë kemi përkeqësim të ambientit mediatik. Ky përvjetor na vendos para sfidave dhe përgjegjësive të reja dhe ju siguroj se edhe në të ardhmen do të mundohemi ta arsyetojmë besueshmërinë e deritanishme”, tha për Portalb kryeredaktori i gazetës KOHA, Besim Iljazi.
Gazetarja Laura Papraniku, bashkëpunëtore e gazetës ditore KOHA, që nga viti 2009, vlerëson se gjatë këtyre 9 viteve, KOHA me sukses ka arritur ta kryej misionin e tij.
“Përgjatë këtyre 9 viteve, KOHA ka dëshmuar se është një gazetë qe ia ka dalë t’i sfidojë të gjitha peripecitë dhe barrierat që dinë t’i krijojnë shoqëritë dhe shtetet pa demokraci të konsoliduar, sikurse është Maqedonia. Shpërblimet dhe çmimet e shumta që kanë fituar gazetarët e saj janë gjithashtu një tregues relevant për punën e suksesshme që bëhet në këtë medium, si dhe motivim për të vazhduar edhe më tej përpjekjet për standarde ende më të larta”, tha për Portalb gazetarja, Papraniku. /Portalb