Rrëfimi i nënës së Olldashit: Takimi i fundit me Sokolin

Në katin e dytë të një apartamenti pranë Ambasadës Amerikane, ndodhet shtëpia ku jetojnë nëna e Sokol Olldashi, bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët. Ai është aty, pavarësisht se jo fizikisht. Sapo futesh në sallon të shfaqet një portret i tij i madh, i realizuar në pikture dhe shumë korniza fotosh të vendosura në rafte.

Kur të enjten në mesditë, shkuam aty për të biseduar me nënën, Kozetën dhe vëllanë, Ardianin, në shtëpi gjetëm Astrit Patozin dhe Parid Carën.

Kozeta Mamaqi shfleton fotot dhe flet ngadalë. “…E përcolla atë ditë në orën gjashtë, i pyeti djemtë për detyrat dhe u largua. Nuk e pashë më. Më mbajnë si grua të fortë, por jam rënduar edhe unë. Nuk duroj më. E kujtoj çdo ditë. Më thonë se koha shëron shumë plagë, po për mua nuk është kështu, sa më shumë kalon koha, aq më shumë më shtohet malli… Ai nuk duhet të ikte përpara meje. E kam peng, duhet ta kisha lënë pas…”

Ardian Olldashi, i cili prej vitesh jeton në Gjermani, këto ditë gjendet në Tiranë për dy-vjetorin e vdekjes së vëllait, Sokolit. Nuk ka folur asnjëherë për mediat, por këtë herë ka bërë një përjashtim, për të ndarë disa kujtime dhe për të rrëfyer atë që ndjen dy vjet pas humbjes së rëndë.

“Kur e mendoj veten të plakur një ditë, përballë një filxhani kafeje, do të jem i dënuar të ndaj kujtimet me veten time. Vëllai është gjaku yt, shoqërues në jetë, pavarësisht çfarë ndodh Sa do të doja t’i thoja një ditë: Koli, e mban mend kur t’i…,kur ne…. Ja pra, që nuk do kem më kë të bisedojë në këtë dimension, ndaj në këtë pikë, ndihem si… jetim. Edhe vëllai të lënka të tillë…”

Ai është vëllai i madh, kanë katër vite diferencë. Prindërit e tyre janë ndarë kur ata ishin ende fëmijë. Kjo nuk i ka penguar të kenë marrëdhënie të veçantë jo vetëm me nënën, por edhe me babain, i cili u është gjendur pranë në çdo moment. Ardiani emigroi në fillim të viteve ’90. E ka ndërtuar jetën e tij jashtë vendit, është baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, kjo e fundit, shumë e lidhur me xhaxhan e saj, Sokolin, sa ishte gjallë.

“Jemi rritur me vuajtje, kjo për shkak të internimit që ka kaluar familja jonë. Por ndarja nga jeta e Sokolit, është momenti më i vështirë në jetën time, deri më tani. E pranoj, nuk ka qenë e lehtë për ta përballuar, por jam dhe duhet të jem i fortë, për fëmijët e mi dhe të Kolit, pavarësisht se unë nuk e zëvendësoj dot figurën e babait, por do të jem aty, sa herë atë të kenë nevojë për ndihmë apo për një këshillë”

Kur e pyet për 20 nëntorin e dy viteve më parë, Ardian thotë se “Mos më pyesni se nuk e di se përse, ku shkoi, kë takoi dhe me kë foli atë ditë! Pavarësisht, se e kisha vazhdimisht në mend që duhet ta merrja në telefon atë mbrëmje, nuk e mora, dhe mos më pyesni pse, se nuk di të them… Mos më pyesni për koiçidencat e çuditshme që kishte ai aksident, se nuk e di… Por mendoj se ishte një aksident.

E di që vetë Sokoli nuk ishte aspak komod në atë kohë për shumë qarqe, për shumë fraksione politike dhe ndoshta shumë do ta brohorisnin daljen e Sokolit nga jeta politike dhe ndoshta janë lutur që të ndodhte ajo gjë, por ajo që ndodhi atë mbrëmje nuk ma merr mendja se ka qenë një gjë e kurdisur.. E kam të vështirë ta besoj”, tregon Ardiani për DITA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button