USHT e shënoi 107 vjetorin e Kongresit të Manastirit

Me një  akademi solemne, Universiteti Shtetëror i Tetovë e shënoi sot 107 vjetorin e Kongresit të Manastirit. Akademinë  e shpalli të hapur dekani i Fakultetit të Filologjisë, Fatmir Sulejmani, i cili theksoi se udha e alfabetit të shqipes ka qenë e gjatë dhe e vështirë.

“Ajo është shtruar me gjakun dhe eshtrat e drobitur të martirëve të dritës së diturisë, të flijuar vetëdijshëm në dhëmbëzorët e pushteteve satrapë që e kishin zët shqiptarin zot të vetvetes, shqiptarin e qytetëruar në auditorët shkollorë, shqiptarin e ndërgjegjësuar që të punojë më shumë për vetveten se sa për tjetrin. Këto janë shkaqet përse kombi me kultivues të hershëm kulture e letërsie arriti ta konsolidojë alfabetin vetëm në fillim të sh. XX”, tha Fatmir Sulejmani.

Referat lidhur me rëndësinë dhe zhvillimin e punimeve të kongresit mbajti Izmit Durmishi, i cili  u shpreh se Kongresi i Manastirit përbën një nga ngjarjet më të shënuara në historinë e kulturës dhe kombit shqiptar në përgjithësi.

Në akademi u theksua se Kongresi i Manastirit është monumenti më i madh kombëtar për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen. Ai u organizua në rrethana tepër të vështira shoqërore-politike dhe ishte në vëzhgimin e plotë të Portës së Lartë, shtetit grek dhe qarqeve sllave, megjithatë ata nuk arritën që të pengonin punimet e Kongresit dhe të realizonin politikat e tyre shkrimore, që i impononin përmes disa intelektualëve shqiptarë.

Po ashtu, u vlerësua se Kongresi i Manastirit ishte një kuvend mbarëkombëtar, i cili në gjirin e vet mblodhi figurat më eminente të Rilindjes tonë kombëtare si: Mithat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Nikollë Kaçorri, Shahin Kolonja, Fehim Zavalani, Mati Logoreci, Ndre Mjeda, dhe shumë të tjerë, të cilët sakrifikuan veten dhe e shkrinë pasurinë e tyre për unifikimin e gjuhës shqipe dhe  avancimin e çështjes kombëtare.

Akademia solemne kushtuar Kongresit të Manastirit, Ditës së alfabetit, përfundoi me një program artistik të përgatitur nga Fakulteti i Filologjisë dhe Fakulteti i Arteve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button