Jahjaga: Mangësia e sistemit shëndetësor që qytetarët shpenzojnë për trajtim jashtë vendit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në hapjen e Kongresit të II të Oftalmologëve të Kosovës ka thënë se aftësia e kufizuar e të pamurit dhe verbëria kanë shumë gjasa të vështirësojnë edhe përpjekjet e individit për të arritur pasuri materiale, status shoqëror dhe planifikim e zhvillim të familjes.

Sipas saj, njerëzit me aftësi të kufizuara, si verbëria, janë të rrezikuar në mënyrë permanente nga varfëria.

“Prandaj, sikur që sëmundjet e syrit dhe humbja e të pamurit mund të shkaktojnë varfërimin e individit, ashtu edhe kushtet dhe resurset e kufizuara shëndetësore në vendet në zhvillim mund të bëhen shkaktarë të sëmundjeve të këtilla”, tha ajo.

Jahjaga tha se sistemi shëndetësor i Kosovës ka të gjitha parakushtet bazike profesionale e njerëzore të ofrojë shërbime adekuate për intervenime më të avancuara në mjekësi, por, megjithatë, pranoi se qytetarët e Kosovës ende shpenzojnë privatisht shuma të larta parash për trajtim mjekësor jashtë vendit.

“Kjo mangësi në sistemin shëndetësor paraqet një rrezik ekzistencial për familjet kosovare, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave të disponueshme”, tha Jahjaga.

Ja fjalimi i plotë i saj:

Me kënaqësi pranova ftesën t’ju bashkëngjitëm në ceremoninë e hapjes së Kongresit të Dytë të Oftalmologëve të Kosovës me pjesëmarrje ndërkombëtare, që në fokus të vetin ka trajtimin e të arriturave dhe përvojave më të reja praktike e shkencore në fushën e oftalmologjisë.

Jam e lumtur që gjatë këtyre dy ditëve kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, do të jetë nikoqir i kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme për shëndetin e njeriut, më konkretisht për shëndetin e syrit.

Shëndeti i dobët i syve dhe verbëria konsiderohen të jenë ndër shkaktarët kryesorë që kufizojnë të ardhurat e njerëzve dhe cilësinë e jetesës së tyre, duke vështirësuar qasjen në shërbimet bazike shoqërore si shkollimi, punësimi dhe zhvillimi profesional.

Aftësia e kufizuar e të pamurit dhe verbëria kanë shumë gjasa të vështirësojnë edhe përpjekjet e individit për të arritur pasuri materiale, status shoqëror dhe planifikim e zhvillim të familjes.

Në lidhje me këtë, njerëzit me aftësi të kufizuara, si verbëria, janë të rrezikuar në mënyrë permanente nga varfëria.

Njëkohësisht, në vendet më pak të zhvilluara, barrierat klinike, kufizimet në dije dhe përvojë profesionale, mungesa e aparaturave dhe ilaçeve moderne, vështirësojnë trajtimin e duhur për pacientët në nevojë dhe parandalimin e sëmundjeve të syrit.

Prandaj, sikur që sëmundjet e syrit dhe humbja e të pamurit mund të shkaktojnë varfërimin e individit, ashtu edhe kushtet dhe resurset e kufizuara shëndetësore në vendet në zhvillim mund të bëhen shkaktarë të sëmundjeve të këtilla.

Ky cikël mund të ndërpritet vetëm me zhvillim të mirëfilltë të shërbimeve mjekësore, duke u bazuar në përvojat më të reja profesionale, në arritjet e fundit të shkencës dhe të teknologjisë dhe në një përkushtim të vazhdueshëm institucional për të krijuar kushtet ligjore, teknologjike e financiare për këtë qëllim.

Sistemi shëndetësor i Kosovës ka të gjitha parakushtet bazike profesionale e njerëzore të ofrojë shërbime adekuate për intervenime më të avancuara në mjekësi. Megjithatë, qytetarët e Kosovës ende shpenzojnë privatisht shuma të larta parash për trajtim mjekësor jashtë vendit. Kjo mangësi në sistemin shëndetësor paraqet një rrezik ekzistencial për familjet kosovare, për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave të disponueshme. Ngjarjet si ky kongres, janë prandaj të rëndësishme edhe për faktin se kontribuojnë në përmirësimin e kapaciteteve profesionale dhe në shërbime më moderne vendore të mjekësisë.

Gjatë këtyre dy ditëve ekspertë eminentë nga vendi e bota do të shpalosin gjetjet e tyre shkencore për rëndësinë e shëndetit të syrit, për metodat e trajtimit të sëmundjeve të tij dhe do të shkëmbejnë përvojat e tyre në shërbim të një shëndeti sa më të mirë.

Shëndeti i mirë është një gur themeltar i rritjes dhe zhvillimit ekonomik dhe i uljes së varfërisë.

Prandaj, rëndësia e këtij kongresi shkon edhe përtej dobive për shkencën e mjekësisë, sepse jep një kontribut edhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë sonë.

Në fund, uroj që diskutimet dhe paraqitjet tuaja të shërbejnë si një shtytje shtesë për avancimin e të ardhmes së oftalmologjisë në Kosovë, në rajon dhe në mbarë botën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button