Prokuroria kërkon paraburgim për 17 protestuesit e arrestuar

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar masë paraburgimi për 17 persona të arrestuar dje gjatë protestave të organizuar nga tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi dhe bastisjes së shtëpive të deputetëve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu.

Prokuroria ka bërë të ditur për KosovaLive se ka kërkuar masë paraburgimi ndaj personave të arrestuar, pasi ata dyshohen se kanë kryer vepër penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm”.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur po ashtu se ka filluar hetime edhe ndaj 4 të pandehurve tjerë për veprat penale “Shtrëngim” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, vepra këto të dënuara me Kodin Penal të Kosovës.

Rikujtojmë se dje, nën organizim të tri partive opozitare është protestuar për më shumë se 8 orë në sheshet kryesore të Prishtinës. Krejt kjo erdhi pasi në orët e mëngjesit, u arrestua deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi dhe u bastisën shtëpitë e deputetit Albin Kurti dhe Albulena Haxhiut.

E situata eskaloi në momentin kur në turmën e organizuar, u paraqit edhe deputeti Albin Kurti dhe u kumtua lajmi se për deputeten Kadaj-Bujupi u kërkua paraburgim prej 30 ditësh.

Opozita ka bërë të ditur se nuk do të ndalet me veprime të tilla deri në lirimin e deputetes dhe tërheqjen e nënshkrimeve nga Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe ajo për Demarkacion me Malin e Zi.

Sot Aleanca e Gruas së Kosovës, e mbështetur edhe nga gratë tjera opozitare kanë marshuar përgjatë shesheve kryesore, duke kërkuar lirimin e deputetes Kadaj-Bujupi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button