Kosovë, opozita vendos: Nuk ka protestë deri më 28 nëntor

Tre liderët e opozitës në një konferencë të mbajtur në selinë e AAK-së, kanë njoftuar se përkohësisht kanë pezulluar protestat, por se ato do të vazhdojnë më 28 nëntor, kur është paraparë të mbahet një marsh protestues.

Opozita ka deklaruar se Policia është bërë instrument i pushtetit.

Lideri i AAK-së Ramsuh Haradinaj ka thënë se ajo që ka ndodhur dje është ajo që është paralajmëruar nga Isa Mustafa për ta ndëshkuar opozitën.

“Ata që po kundërshtojnë ‘Zajednicën’ janë sulmuar tek familjet e tyre. Kundërshtimi ynë politik për këto tema të dëmshme do të vazhdojë edhe nëse Mustafa, Thaçi, Shpend Maxhuni janë në gjendje me hedh aq shumë gaz për ‘Zajednicën’. Ndaluni sa s’është bërë vonë”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se nuk do të ndalen në kërkesat e tyre ndërsa i ka bërë thirrje policisë që mos të bëhen instrument i politikës.

“Urdhrat politikë për përndjekjen e opozitës është e papranueshme dhe për këtë do të vazhdojmë të protestojmë. I bëjmë thirrje komandantëve të policisë që të mos bëhen instrument i pushtetit, por të jenë në shërbim të popullit. Vullneti kundër marrëveshjeve do të ngadhënjejë”, ka deklaruar Ymeri.

Edhe kryetari i Nismas, Fatmir Limaj ka thënë se kundërshtimi i tyre do të vazhdojë edhe më tutje.

“Vandalizmin e Isës dhe Hashimit që e kemi pa ndaj deputetëve, sepse e keni pa në çfarë forme është thyer shtëpia e deputetit dhe me çfarë masa kanë arrestuar një deputete. Këto tregojnë për një shtet që është kapur peng nga dy njerëz dhe rreth tyre kanë mbledhur individë që janë në gjendje të shtyjnë vendin në konfrontim, por ne jemi edhe me popullin edhe me policinë. Precedent është arrestimi i deputetes Kadaj-Bujupi dhe burgosja e saj. Kjo byro politike do t’iu kthehet grusht ata që përkrahin këto”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button