Mustafa kërkon përkrahjen e PE-së për liberalizimin e vizave

Kryeministri Isa Mustafa, u takua sot në Bruksel, me kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, kryeministri Isa Mustafa, ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës, për përkrahjen e veçantë që PE ka ofruar për Kosovën.

Mustafa e njoftoi nikqorin e takimit për progresin në Kosovë, me theks të veçantë për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik dhe stabilitet të gjithanshëm në Kosovë.

Shefi i qeverisë kosovare theksoi rëndësinë e nënshkrimit të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe BE-së, duke shprehur besimin se ajo do të ratifikohet së shpejti në Parlamentin Evropian.

Ai kërkoi përkrahjen e PE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët, siç u shpreh kryeministri, janë të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin pa viza duke mbetur të izoluar.

“Nuk ka më asnjë arsye për mos liberalizimin e vizave për kosovarët”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se BE-ja duhet të jetë në Kosovë dhe Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së.

Ndërkaq, kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ka theksuar përkrahjen e PE-së për Kosovën, duke vlerësuar progresin që po arrihet.

Schulz shprehu mbështetje edhe për proceset integruese të Kosovës, duke përfshirë liberalizimin e vizave dhe hapat e tjerë të Kosovës.

Kreu i PE-së poashtu, ka shprehur përkrahjen e institucionit me të cilin udhëheq për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke vlerësuar rolin konstruktiv të Kosovës.

Gjatë takimit është biseduar edhe për aktet e fundit terroriste që ndodhën në Francë.

Gjatë qëndrimit në Brukselkreu i ekzekutivit kosovar do të takohet edhe me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, komisioneren e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë / zëvendëspresidente e KE-së, Federica Mogherini, Komisionerin e BE-së, Dimitris Avramopoulos, eurodeputetët Ulrike Lunacek dhe Elmar Brook si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së e përfaqësues të bizneseve, transmeton Klan Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button