Edhe sauditët fuqi bërthamore?

Arabia Saudite nuk do të tolerojë shndërrimin e Iranit në një superfuqi bërthamore. Lufta për mbizotërim në rajon mes dy vendeve, që vazhdon prej vitesh, mbetet ende e ashpër.

Sipas shërbimeve sekrete izraelite, Riadi ka investuar miliarda dollarë në centralet dhe projektet bërthamore të Pakistanit dhe në këmbim të saj në marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve është parashikuar që nëse Irani ndërton bombën bërthamore, atëherë Arabia Saudite mund ta blejë atë nga Pakistani.

Nuk dihet nëse në dijeni të këtij plani të sauditëve është edhe Uashingtoni, por ajo që duket qartë është se sauditët nuk do të toleronin një Iran bërthamor në veri të tyre.

Këto zëra përforcohen akoma më shumë nga një deklarata e një zyrtari të lartë të NATO-s pak muaj më parë. Në kushte anonimati ai tha se ka të dhëna që tregojnë se në Pakistan janë prodhuar armë bërthamore për llogari të Arabisë Saudite dhe të gatshme për t’u transportuar.

Në vitin 2009, Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite paralajmëroi ndërkombëtarët se nëse Irani shndërrohet në fuqi bërthamore, edhe ata do ta bëjnë dicka të tillë.

Projekti i sauditëve për blerjen e armëve bërthamore, përfshirë këtu edhe raketat me rreze të gjatë veprimi është i vjetër. Në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar ata blenë në fshehtësi raketa balistike CSS-2 nga Kina, të vlerësuara si tepër të pasakta nga ekspertët, ndërkohë që në muajin korrik, një revistë ushtarake shkruante se Riadi ka ndërtuar dy shina për lëshimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, njëra me drejtim nga Izraeli dhe tjetra me drejtim nga Irani. 

Lajme të ngjashme

Back to top button