Si ta njohim sëmundjen e diabetit dhe si ta parandalojmë

Shënimi i Ditës Botërore të Diabetit, në mbarë botën ka për qëllim ndërgjegjësimin e popullatës për sëmundjen e diabetit. Sot sëmundja e diabetit ka një përhapje deri 8.3% në mbarë botën.

Ass.dr.Merita Emini Sadiku,PhD
Interniste-endokrinologe-diabetologe

Diabeti i sheqerit ( diabetes mellitus) është një çrregullim metabolik i cili karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve (sheqernave), yndyrave dhe proteinave. Kjo sëmundje vjen si pasojë e defektit të sekretimit të insulinës, të veprimit të saj, të dyjave bashkë ose mungesës së plotë të sekretimit të insulinës, i cili është një hormon që më të drejtë konsiderohet çelës për futjen e glukozës në qelizë.

Me kalimin e kohës, për shkak të kontrollit jo të mirë të sëmundjes, mund të shfaqen komplikimet akute dhe kronike. Strukturat e para të trupit që preken nga kjo sëmundje janë vazat e gjakut dhe nervat, të cilat janë pjesë përbërëse e çdo organi në trup dhe rrjedhimisht, mund të ndodhë edhe dëmtimi i këtyre organeve, sikurse janë dëmtimi i syve, veshkave, zemrës, truri dhe këmbët.

50% e gjithë trajtimit të kësaj sëmundjeje, është e varur nga vetkujdesi që duhet të bëjnë pacientët diabetik në marrjen e ushqimit të shëndetshëm, aktivitetin e rregullt fizik, terapinë me tableta, dhe, nëse është e nevojshme marrja e rregullt e insulinës.

Nëse një person është diagnostikuar si diabetik, si formë e trajtimit fillimisht është ndryshimi i menjëhershëm i stilit të jetës, pra kujdesi i përpiktë në marrjen dhe zgjedhjen e ushqimit të shëndetshëm dhe aktiviteti fizik. Nëse kjo formë e trajtimit nuk funksionon, fillohet me mjekimin me barna, nëse është diabet tip 2 ose diabet tip 1, duhet të fillohet menjëherë me insulinë.

Aktiviteti fizik është i domosdoshëm për diabetikët, sepse ndihmon mjaft shumë në kontrollin e glikemisë, pengon shtresimin e vazava të gjakut me yndyra, si dhe ndikon pozitivisht në aspektin psikologjik të të sëmurëve. Rekomandohet që së paku 3 herë në jave për 20-30 minuta në dite, të praktikojnë ecjen e shpejtë ose vrapin e lehtë. Diabetikët të cilët kanë dëmtime në këmbë, hipoglikemi, komplikime kardiovaskulare, duhet të kenë kujdes në llojin e aktivitetit fizik dhe duhet të këshillohen fillimisht me mjekun e tyre.

Ndërsa lidhur me ushqimin, fillimisht rekomandohet konsumimi në racionet kryesore i bukës integrale, pra me përmbajtje të bollshme të fibrave, pastaj qumështi dhe produktet e tij duhet të jenë me yndyrna të reduktuara, pra diku me 1.5% përmbajtje të kolesterolit. Mishi dhe produktet e tij duhet të jetë me përbërje të ulët të yndyrës, kryesisht i zier dhe i përgatitur me pak yndyrë, mundësisht të konsumohet mishi i shpezëve, gjegjësisht i pulave dhe sa me rrallë mishi i viçit, ndërsa peshku mundësisht më shpesh. Perimet dhe pemët duhet të jenë çdo ditë në menytë e diabetikëve, për shkak të përmbajtjes së lartë të fibrave, vitaminave dhe mineraleve, të cilat janë të domosdoshme për organizmin. Vajrat të cilat përdoren duhet të jenë kryesisht me përmbajtje bimore.

Duhet të shmangen brumërat, lëngjet e gazuara dhe ato që gjendet sot në treg, sepse kanë përmbajtje të lartë të sheqernave. Të konsumohen frutat në vend të lëngjeve dhe të merret sasi e mjaftueshme e ujit natyral, deri në 6 gota të zakonshme të ujit në ditë, çoftë si ujë i thjeshtë ose çajra bimore.

Insulina është trajtimi më fiziologjik ose më i përshtatshëm për diabetikët, të cilët nuk kanë më rezervat e domosdoshme për të mbajtur glukorregullimin. Insulina ka efekte të jashtëzakonshme në organe dhe sisteme të organeve, përveç efektit në metabolizmin e karbohidrateve. Insulina në mënyrë të shpejt përmirëson gjendjen shëndetësore. Sigurisht që, përveç organeve tjera, jashtëzakonisht ndikon mirë edhe në përmirësimin e funksionit të trurit. Insulina në tru nxit kapjen e glukozës nga neuronet, sidomos të atyre fushave të cilat janë përgjegjëse për memorien. Gjithashtu, insulina përforcon lidhjen mes këtyre neuroneve. Gjatë kohës që një diabetik me glikemi të lartë, ka dëmtime pikërisht në nivel të këtyre neuroneve, pra në këto qeliza të trurit të cilat manifestohen me shenja të dukshme si nervozitet, depresion, agjitim e deri në humbje të vetëdijes.

Mënyra e vetme se si ta parandalojmë këtë sëmundje është konsumimi i ushqimit të shëndetshëm, orari i rregullt i ushqimit me tri racione kryesore të ushqimit, mbajtja e peshës trupore normale dhe aktiviteti i rregullt fizik. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button