Maqedoni, 111 herë dhuroi gjak, rekord i ri në mesin e shqiptarëve!

Reshat Limani nga Kumanova më 1 shtator të këtij viti dhuroi gjak për të 111 herë me radhë. Ai është i vetmi shqiptar në mesin e grupit të rreth 15 gjak-dhënësve, të cilët dhuruan gjak mbi 100 herë në rajonin e Kumanovës dhe të Likovës.  Ai së pari herë dhuroi gjak gjatë ushtrisë në Kroaci, që në moshën 17 vjeçare dhe do të vazhdojë të dhuroj gjak deri sa të ketë mundësi.

“Pasi u ktheva nga ushtria, babai im u sëmur. Jepja gjak për të, por ai kishte nevojë për sasi aq të madhe saqë unë nuk isha në gjendje ta kompenzoja. Prej atëherë dhënien e gjakut e kam ndjerë si obligim moral.”-sqaroi 54 vjeçari, Reshat Limani arsyen pse kishte dhuruar gjak gjatë gjithë kësaj kohe.

Sipas Limanit, rëndom njeriu nuk e di se kush do ta pranojë gjakun të cilin e dhuron, “Zoti i krijoi racat, por na bëri të gjithëve njerëz. Gjaku në bazë është i pastër, pa marrë parasysh kombin, fenë apo ndonjë përkatësi tjetër të njeriut. Kështuqë, asnjëherë nuk jam preokupuar me racën e atij që do ta marrë gjakun tim.”-theksoi ai për Portalb. Sipas tij, janë të rralla rastet kur njeriu drejtpërdrejtë dhuron gjak për ndojë njeri të njohur, pasi para së gjithash duhet t’iu përshtaten grupet e gjakut. Ai vetë ka gjak të grupit 0+.

Ai rrëfeu disa nga rastet më të veçanta: “Kam dhuruar gjak për shumë njerëz. Por ishte rast i veçantë dhe shumë prekës  kur i dhurova gjak një vajze të paralizuar në të dy këmbët. Isha në Shkup dhe e pash me sytë e mi se në çfarë gjendje ishte, ndërsa sot ajo vajzë është martuar;Disa fqinj kërkuan të jepja gjak për një foshnje të sapolindur,  së cilës urgjentisht duhej t’i ndërrohej gjaku. Më vinte keq, por u tregova se kishte kaluar vetëm një muaj që kur kisha dhuruar gjak për herë të fundit, ashtuqë nuk më lejohej. Megjithatë ata insistuan disa herë e nuk mund të mos dhuroja: E mbaj mend se ishte hera e 63-të me radhë. Ndërsa në Shkup mjekëve nuk ua tregova fare librezën e gjak-dhënies, që të mos dilte ndonjë pengesë. Zoti nuk i kishte dhënë më shumë jetë, foshnja vdiq pas dy-tre javësh, por familja e saj edhe sot e tutje më respekton dhe më janë mirënjohës;…Dhurova edhe për një fqi, për të cilin nuk kishte pasur gjak të mjaftueshëm derisa po e operonin.”

2

Pika e gjakut është shpëtim. Kuptohet jetën Zoti e jep, por është mirë të bëhemi shkas që dikush të shpëtojë. Çdo pikë gjaku e kam dhuruar me dëshirën më të madhe, për hir të Zotit. Përndryshe gjaku nuk paguhet me asgjë, por shpresoj se një ditë do të paguhet ndonjë prej të gjitha atyre pikave.”-u shpreh ai.

“Ishte një fëmijë i sëmurë, për të cilin babai dhe daja kërkonin nga unë t’i dhuroja gjak. Të dy dukeshin më të rinj e në formë edhe më të mirë fizike se unë, por kur mjeku i pyeti pse ata vetë nuk dhuronin gjak, thanë se kishin frikë.”-Limani e cek këtë shembull duke e shoqëruar me sqarimin se nuk ka arsye për të ngurruar “Gjaku krijohet menjëherë pasi njeriu pi gjysëm litër lëng. Ndërsa çështja e rruzave të gjakut rregullohet pas 2,5 muajsh tek meshkujt dhe pas 4 muajsh tek femrat. Personalisht nuk kam asnjë problem kur dhuroj gjak, përkundrazi ndjehem mirë dhe i lehtësuar. Tashmë më është mësuar organizmi dhe mezi pres të kalojnë tre muaj e të dhuroj sërish.”-tha dhe vazhdoi “Më ka ndodhur shpesh që në spital të shihja motrat medicinale me qese me gjak në duar dhe jam bindur se nevoja për gjak është e madhe. Gjaku është i pazëvendësueshëm. Nuk është lëndë që prodhohet, por dhurohet prej njeriut. Andaj apeloj tek i gjithë populli shqiptar, veçanërisht tek rinia që të vetëdijësohet.”

3

Përndryshe, sipas informatave të Limanit, para 20 viteve në rrethinën e Kumanovës shqiptarët përbënin 38% të kërkesës për gjak, ndërsa vetëm 3% e dhuruesve të gjakut ishin shqiptarë. Tani është shtuar numri i gjak-dhuruesve shqiptarë. Megjithatë sipas tij, kushtet në repartin e transfuzicionit janë përkeqësuar, po edhe të drejtat e gjak-dhuruesve gjatë kohës së Jugosllavisë ishin më të mëdha.

I pyetur se a do të vazhdojë të dhuroj gjak, Limani u përgjigj: “Po, deri sa të mundem.” Ndërsa sipas rregullave të vendosura nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë, nëse gjak-dhënësi është i shëndoshë mund të dhurojë gjak deri në moshën 65 vjeçare.

Reshat Limani për 30 vite punoi në fabrikë të tullave. Është baba i dy djemve, prej të cilëve Bunjamini ka dhuruar gjak 10 herë dhe Ibrahimi 11 herë. Ndërsa vëllau, Lulzimi deri tani ka dhuruar 30 herë gjak./Portalb.mk

LEXO: Njihuni me kumanovarin, i cili dhuroi 75 herë gjak! (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button