Mbi kulturën e leximit që s’e kemi

Tema e kulturës së leximit është shumë tokësore, ndaj habit e dhëna përse aq rrallë na vete mendja të kërkojmë përgjigje në pyetjen: përse nuk lexohet libri, përkatësisht: përse lexohet aq pak nga të rinjtë, nga shkollarët, nga të diplomuarit, madje nga ata që jetojnë prej librave dhe u flasin të tjerëve për libra?

Në këtë pikë, nëse e eliminojmë jetën kaq dinamike të së sotmes, komunikimin kaq të dendur të të rinjve dhe përgjithësisht të njerëzve nëpërmjet teknikës kompjuterike/ digjitale, që e ka relativizuar në masë të madhe peshën e librit, shkakun e leximit të paktë (veçmas të veprave letrare), ndoshta duhet kërkuar edhe në mënyrën joadekuate të mësimit të letërsisë në institucionet shkollore, në bibliotekat inekzistente dhe tejet të varfra, në përgatitjen jo gjithherë të duhur profesionale të mësuesve të letërsisë, në mungesën e bibliotekave shtëpiake/ private, në kualitetet modeste të programeve dhe të teksteve shkollore të letërsisë (të librave të leximit) dhe në një mori shkaqesh të tjera, që e kërkojnë vëmendjen tonë më shumë se kurrë.

Ndër këta faktorë vendin kryesor e zënë gjithsesi librat e leximit, tekstet bazë nëpërmjet të cilëve fëmijët tanë duhet ta mësojnë letërsinë, që lënë shumë për të dëshiruar. Në faqet e tyre, që në klasën e pestë, përveç rilindësve dhe autorëve të viteve të 30-ta, do të gjeni dhe shumë tekste (prozë e poezi) të autorëve bashkëkohorë. Në shikim të parë kjo duket krejt në rregull, por diçka megjithatë mungon dhe kjo lidhet me përzgjedhjen e teksteve joadekuate për moshat e caktuara, kulturën e përgjithshme letrare të një mesi, aftësitë absorbuese e komunikuese dhe nivelin e shijes estetike të nxënësve…

Kështu, nxënësit tanë e mësojnë letërsinë për të rritur përpara se ta mësojnë letërsinë që është në unison me mundësitë edhe interesin e tyre. Ata lexojnë shkrime të autorëve për të rritur përpara se të lexojnë diçka nga Odhise Grillo, Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Ferit Lamaj, Gaqo Bushaka… Së këndejmi: a mund të ngjallet dashuria për librin, letërsinë dhe artin përgjithësisht te nxënësit të cilëve nuk u mundësohet rritja krahas librit dhe bashkë me të?

Nëse dikush i di pasojat e mësimit të tillë të letërsisë, ata jemi ne mësuesit dhe përpiluesit e librave. Ne e dimë mirëfilli përse gjenerata të tëra shqiptarësh (edhe me këtë rast me duhet të them: respekt përjashtimeve) vazhdojnë të komunikojnë lirshëm vetëm me letërsinë monovalente, me letërsinë e luftërave, me letërsinë sentimentale të mbushur me ofkëllima, dhembje e vuajtje dashurish të ndërprera  për shkak të fanatizmit dhe patriarkalizmit, me letërsinë iluministe…, që, një herë e një kohë, kanë luajtur rol jashtëzakonisht të madh në emancipimin tonë të përgjithshëm, por që kanë humbur pakthyeshëm lexuesit për një mori shkaqesh elaborimi i të cilëve kapërcen shumëfish kornizat e një shkrimi si ky. Ne e dimë përse, akoma sot veprat e kolosëve të artit letrar si: Martin Camaj, Anton Pashku, Beqir Musliu, Teki Dervishi… mbeten në pritje të lexuesit të tyre të natyrshëm.

Meqë është kështu: ne e dimë më së miri dhe çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen, kur të vendosim t’i futemi mësimdhënies dhe përpilimit të librit shkollor letrar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button