Maqedonia duhet patjetër të bëjë një pikë kthese

Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë sot solli rekomandim të kushtëzuar për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Maqedonisë i janë përsëritur disa kritika që kanë qenë të spikatura edhe në Raportet e mëparshme, por kësaj here duke vendosur theksin edhe në ngjarjet që krijuan krizën më të thellë të Maqedonisë, pas 2001-shit, raporton Portalb.

Në Raport theksohet se në Maqedoni ngjarjet ndëretnike janë ende të brishta. Po aty, jepet mesazh që Maqedonia të përfundojë me Marrëveshjen e Ohrit, aplikimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinos, si dhe të hetohet në tërësi rasti i Kumanovës.

Njohësit e çështjeve politike për Portalb kanë thënë se përkundër vërejtjeve kryesore pozitive është se Maqedonisë po i jepet edhe një mundësi për të dalë nga kriza. Dhe se, sipas tyre, Maqedonia duhet të bëjë kthesën e duhur për të nisur progresin, sepse nuk ka ku të shkojë më.

“Raporti është real, objektiv, vë theksin në krizën politike në Maqedoni. Këtu qëndrojnë edhe vërejtjet kryesore. Potencon edhe skandalin me përgjimet, ku siç shkruan edhe në raport, janë përfshirë funksionarë të lartë në korrupsion, presion gjyqësorit, kufizimin e lirisë së mediave. Mendoj se raporti do ta ndihmojë Maqedonisë, sepse po i jep një gjasë. Po i jep shansin që Maqedonia ta aplikojë Marrëveshjen e Përzhinos dhe rekomandimet e Pribes. Rekomandimi do të thotë është kushtëzuar me Marrëveshjen e Përzhinos dhe pastaj as zgjedhjeve të prillit do të ketë edhe një Raport progresi, për atë se si ka përparuar Maqedonia në ndërkohë”, tha për Portalb Bojan Mariçiq, nga Qendra për studime Evropiane.

Sipas profesorit universitar Sefer Tairi Raporti i KE-së i ka vërtetuar dhe i ka konfirmuar kritikat që i ka bërë edhe vitet tjera Komisioni Evropian ndaj Maqedonisë në shumë plane, kryesisht në planin e moszbatimit të reformave në sistemin gjyqësor, në depolitizimin e institucioneve dhe ndikimit ndaj politikës redaktuese të mediave.

“Konsideroj se kërkohet nga subjektet politike në Maqedoni që të jenë më konstruktive, më të përgjegjshme gjatë zbatimit të reformave dhe sa i përket procesit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, konkretisht mos keqpërdoren institucionet dhe administrata siç ka ndodhur deri më tani për qëllime të zgjedhjeve dhe konsideroj se këto kritika duhet të merren seriozisht nga palët të cilat tashmë marrëveshjen politike po e procedojnë përmes kuvendit dhe e bëjnë pjesë të legjislaturës. U ngelet përgjegjësia që kanë për zbatimin e Marrëveshjes. KE për disa raste që kanë qenë më me bujë si rasti i Kumanovës kërkojnë një transparencë dhe punë më të përgjegjshme të organeve gjyqësore”, theksoi për Portalb Tahiri.

Maqedonia duhet patjetër të bëjë një pikë kthese, shton ai, sepse ka arritur pikën kulminante dhe nuk mund të shkojë më tej. Situata është shumë e keqe, katastrofave do të thosha në planin politik.

“Kemi edhe krizë të thellë sociale dhe ekonomike që reflektohet edhe në sferat tjera dhe Maqedonia duhet patjetër të orientohet drejt zhvillimeve demokratike sepse edhe ne jemi të vetëdijshëm se momentalisht po përjetojmë diktaturë politike”, përfundon Tahiri.

Kushtet për të filluar bisedimet me Brukselin janë: të zbatohet plotësisht Marrëveshja e Përzhinos dhe të bëhen reformat e patjetërsueshme. Theksohet se filloi zbatimi i marrëveshjes së arritur politike, por nevojitet edhe më shumë të bëhet rreth “prioriteteve urgjente reformuese” që të arrihen qëllimet dhe rezultatet e nevojshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button