Shkup, etika në media, çështje serioze që duhet shqyrtuar

Raportet e ndryshme për lirinë dhe pavarësinë e medias çdo vit flasin për nivel të lartë të ndikimit të medias në vend nga politika ditore, sidomos në kohë zgjedhjesh kjo çështje është më problematike dhe ky është realitet. Kjo doli edhe njëherë në pah në konferencën kombëtare me temë “Etika në gazetari dhe vlerat e medias në rrethana specifike dhe në kohë zgjedhjesh” të mbajtur sot në Shkup, njofton Portalb.

“Mediat luajë rol shumë të rëndësishëm fillimisht për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike”, tha Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Aivo Orav.

Zv/kryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi tha se është normale që ka kritika dhe udhëzime për sferat të cilat kërkojnë përmirësim. “Presim që edhe në raportin e ardhshëm të progresit do të jenë qartë të vendosura rekomandimet. Edhe përkundër përparimeve, akoma mbeten edhe shumë mangësi që në Republikën e Maqedonisë duhet të behën për ngritjen e imazhit dhe rritjen e standardit sa i takon informimit publik. Në periudhën e ardhshme, në fokus do të jenë përmirësimi i standardeve profesionale për punonjësit e mediave, transparencë më të madhe për reformat qeveritare dhe përgatitje e metodologjisë për kriteret për ndarjen e përqindjes së buxhetit për mediat, balancimin e rolit të shërbimit publik radiodifuziv etj, në pajtueshmëri me rekomandimet e dhëna nga KE.” – tha Besimi.

Marina Tuneva, nga Këshilli i etikës së mediave në Maqedoni, tha se nuk është e mundur të arrihen standardet profesionale në kushtet kur ekzistojnë presione mbi mediat, shkelet statusi ekzistent i gazetarëve, ndikimi mbi pronarët e mediave etj.

“Në betejën për të kthyer kualitetin në gazetari dhe kthimin e besimit të publikut është i nevojshëm një bashkëpunim i fuqishëm. Ekzistojmë që t’ja kujtojmë publikut që të kyçet dhe të reagojë për informimin e mediave kurse gazetarëve që ta përmirësojnë punë  tyre dhe të rrisin kualitetin e gazetarisë. Kërkojmë bashkëpunim nga mediat për afirmimin e punës së Këshillit të etikës për media dhe publikimin e vendimeve nga Komisioni për ankesa” – tha Tuneva, njofton Portalb.

Konferenca
Pamje nga konferenca

Kryetari i Komisionit për ankesa, Mirçe Adamçevski, prezantoi punën e Komisionit për ankesa në kuadër të Këshillit të Etikës.

“Deri në këtë moment, komisioni ka pranuar mbi pesëdhjetë raste, pjesa më e madhe e të cilave janë shqyrtuar kurse disa janë refuzuar. Nga këto, pothuajse një e treta kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut, gjuhën e urrejtjes, nxitje të dhunës, mosverifikimin e informacionit. Më të theksuara janë mediat online, pastaj televizionet etj. Tani, kur u shpallën zgjedhjet, do t’i kushtojmë shumë rëndësi respektimit të etikës dhe informimit të balancuar gjatë kësaj periudhe.” – shtoi Adamçvski.

Sefer Tahiri, anëtar i Komisionit për ankesa për këtë tha se në Maqedoni, gjatë disa viteve të fundit ndodhin procese joprogresive në media, njofton Portalb.

“Gazetaria, në vend që të ketë progres, degradohet , për atë edhe në raportin e ri të Komisionit Evropian do të kritikohen zhvillimet e mediave në Maqedoni ku si arsye kryesore është se mediat në Maqedoni janë nën presionin e partive politike dhe grupeve të biznesit. Nuk duhet të presim as raportin e ri të Freedom House për të konstatuar se jemi në nivelin e vendeve aziatike dhe afrikane të cilat janë totalitare” – tha Tahiri.

Enes Osmançeviq, nga Këshilli i etikës së Bosnjë dhe Hercegovinës tha se problemi më i madh me të cilin ballafaqohen mediat në Bosnjë dhe Hercegovinë është gjuha e urrejtjes dhe ky është fenomen që ndodh që nga vitet ’90 dhe është karakteristikë e mediave online. Pikërisht për faktin se nuk i kontrollon askush dhe askush nuk e di se sa media elektronike ka gjithsej atje.

Iniciativa u përshëndet nga të gjithë dhe u vlerësua se zhvillimi dhe pavarësia e mediave është më se i nevojshëm sidomos në këtë periudhë sfiduese për vendin. Përfaqësuesit e UNESKO-s në Maqedoni përmes një letre, përshëndetën nismën dhe u zotuan të jenë partnerë për mbështetjen e zhvillimit të mediave në regjion dhe në Maqedoni, njofton Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button