Hahn: MSA-ja është hap i madh, por zbatimi i saj mbetet sfidë për Kosovën

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është një hap i madh i Kosovës drejt Bashkimit Evropian, por zbatimi i saj është një sfidë dhe nuk ka të bëjë vetëm për Qeverinë dhe Kuvendin, por për tërë Kosovën, tha Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore, Johanes Han në fjalimin e tij para deputetëve në Kuvendin e Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën solemne të Kuvendit morën pjesë edhe deputetët e opozitës, të cilët për shkak të komisionerit Hahn, si dhe javën e kaluar për shkak të vizitës së presidentit austriak Heinz Fischer, përkohësisht zhbllokuan punën e Kuvendit. Opozita për më shumë se një muaj bllokon Kuvendin dhe kërkon nga Kryeministri që të tërheqë nënshkrimet nga Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Komisioneri ka folur për rëndësinë e MSA-së për Kosovën, përfitimet dhe detyrimet që dalin nga kjo marrëveshje sjellë. Ai theksoi se rezultatet nuk do të jenë të menjëhershme, por se është e nevojshme kohë për realizimin e saj.

“Marrëveshja nuk mund të rregullojë problemet tuaja të brendshme politike në Kosovë, ato duhet ti zgjidhni vetë në kuadër të kritereve dhe procedurave tuaja. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush duke mbështetur Kosovën për të dalë nga vështirësitë aktuale, por vendimet e nevojshme duhet ti sillni ju dhe ne nuk mund të japim zgjidhje”, tha Hahn.

Ai vuri në dukje se dialogu me Serbinë, është pjesë integrale e MSA-së, dhe se në një sistem demokratik nuk ka vend për opstruksione dhe dhunë të cilën e bën opozita.

“Ata që pengojnë institucionet para se të fillojë debati, ata e kanë humbur argumentin. Respekti për parimet demokratike do të thotë se qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike mund të sjellë propozime tek të zgjedhurit nga populli, dhe në këtë mënyrë ju do të keni mundësi për të debatuar ndaj këtyre propozimeve në një mënyrë të hapur këtu në Kuvend”, theksoi Hahn.

Komisioneri para deputetëve shpjegoi se çfarë do të thotë MSA për Kosovën, duke shtuar se qëllimi i tij, ndër të tjera, është lufta kundër korrupsionit, reforma në administratë, si dhe përmirësimi i ekonomisë dhe bashkëpunimi rajonal.

Deputetët e opozitës nga Lëvizja “Vetëvendosje” si për presidentin austriak ashtu edhe për Komisionerin Hahn kishin një mesazh të cilin e përcollën nga banderola ku shkruhej: “A është ndarja etnike vlerë e BE-së?” dhe “Marrëveshja e padrejtë nuk do të kalojë”.

Komisioneri Europian Johanes Hahn, i cili ndodhet në një vizitë një-ditore në Kosovë, ka patur takime të ndara në mëngjes me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Isa Mustafa, dhe pastaj me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Hahn do të vizitojë uzinën për pastrimin e ujit në Shipol, afër Mitrovicës, ndërsa më pas do të takohet edhe me përfaqësuesit e “Listës Serbe” në ambientet e Zyrës së BE-së në Prishtinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button