5 argumentet pse BE me nënshkrimin e MSA-së njeh Kosovën

Publicisti kosovar Augustin Palokaj, përmes një vështrimi të titulluar “Pse mungoi festa për MSA-në e Kosovës”, ka tërhequr disa paralele të pakrahasueshme, që dikujt si ai, i cili shumicën e kohës është pjesë e zhvillimeve në Bruksel nuk do duhej t’i përvidheshin si lëshime.

Megjithatë, duke e parë lehtësinë me të cilën po konstatojnë edhe publicistët dhe analistët e tjerë rreth MSA-së, me argumente kryesisht politike pro dhe kundër saj, Republika.info ka vendosur sot t’i trajtojë pesë çështjet kryesore me të cilat është marrë sot edhe publicisti Palokaj, i cili është njëri prej korrespodentëve më kompetent për proceset e integrimit evropian, por që në forma të ndryshme, ditëve të kaluara janë marrë edhe analistët e tjerë kosovarë.

MSA-ja e Kosovës me BE-në e njëjtë sikur marrëveshjet tregtare me Tajvanin, Hong-Kongun apo Autoritetet Palestineze

Pretendimi i publicistit Palokaj në këtë rast, se MSA-ja e Kosovës është e njëjtë sikur marrëveshjet tregtare të BE-së me Tajvanin, Hong-Kongun apo Autoritetet Palestineze është ligjërisht dhe politikisht i pasaktë.

Argumenti: Titulli V i Traktatit të Lisbonës ka paraparë se cilat Marrëveshje Ndërkombëtare mund t’i lidhë Bashkimi Evropian. Neni 218 i Traktatit të Lisbonës parasheh që një nga Marrëveshjet Ndërkombëtare që BE-ja mund të lidhë është Marrëveshja e Asociimit. Kurse, neni 216 specifikon 2 kategori të palëve me të cilat BE-ja mund të lidhë Marrëveshje Ndërkombëtare: Shtetet e treta dhe organizatat ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, nga këndvështrimi ligjor, Kosova në bazë të nenit 216 është palë e marrëveshjes si shtet. Ndërsa, nga këndvështrimi politik, Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit janë marrëveshjet që lidhen me qëllimin e vetëm të anëtarësimit në BE. Prandaj, edhe asnjë vend në botë nuk lidhë MSA, përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, çfarëdo krahasimi me Tajvanin apo ndonjë entitet tjetër ligjërisht dhe politikisht nuk qëndron.

MSA nuk e trajton Kosovën si shtet të pavarur

Ky konstatim mund të hidhet lehtësisht poshtë me vetëm dy argumente. Argumenti i parë është ligjor: MSA e trajton Kosovën si shtet të pavarur, sepse MSA është traktat ndërkombëtar të cilin BE e lidhë me një shtet tjetër me qëllim të krijimit të obligimeve të cilat i mundësojnë shtetit në fjalë anëtarësimin në BE. Baza ligjore për lidhjen e MSA-së është neni i 216 i Traktatit të Lisbonës, i cili ju referohet palëve në lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare si shtete.

Argumenti i dytë është politik: Kosovën nuk e kanë njohur 5 vende anëtare dhe MSA nuk mund ta ndryshojë këtë realitet. Për shkak të këtij fakti është thënë se në disa raste, në kuadër të MSA-së është dashur të negociohet teksti i saktë i marrëveshjes, por gjithnjë pa e dëmtuar substancën e marrëveshjes. MSA ka ofruar kornizë formale dhe kontraktuale që marrëdhëniet e Kosovës me BE-në të thellohen dhe zgjerohen, si dhe rrjedhimisht të kontribuojnë në njohjen eventuale të 5 vendeve të BE-së.

MSA nuk parasheh anëtarësimin e Kosovës në BE

Ky është edhe një konstatim që shpeshherë e kemi dëgjuar gjatë kësaj kohe. MSA është mënyra më e mirë për të përgatitur Kosovën për anëtarësim, por kjo nuk do të thotë se automatikisht i zgjidh të gjitha çështjet politike që kanë peshë në vendimin e BE-së për t’i ofruar mundësinë e anëtarësimit një shteti. Shembull nga rajoni është rasti i Maqedonisë që ka qenë ndër vendet e para që ka lidhur MSA-në me BE-në, por një problem politik me një shtet anëtar (çështja e emrit) e ka bllokuar perspektivën e këtij vendi, pavarësisht se e ka zbatuar MSA-në përtej afatit të paraparë prej 10 viteve. Duhet theksuar se çështja e anëtarësimit në BE është vendim politik.

Vendim që nuk duhet ndërlidhur me MSA-në. Çështja e anëtarësimit në BE nuk është e paraparë as në MSA-të e vendeve të rajonit. Pra, MSA me Kosovën parasheh obligimet për BE-në që në një kohë të caktuar në të ardhmen të pranojë edhe Kosovën si shtet anëtar të BE-së.

Citim nga MSA-ja, i cili konfirmon anëtarësimin e Kosovës në BE, njëjtë sikur në rastin e vendeve të rajonit: “Duke njohur gatishmërinë e BE-së që të merr hapat konkret për realizimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe të siguron përafrimin me BE-në, duke e integruar Kosovën në rrjedhat kyçe politike dhe ekonomike të Evropës… atëherë kur Kosova plotëson kriteret e Kopenhages.”

Për dallim nga deklaratat politike të mëparshme në MSA, si traktat ndërkombëtar, në MSA-në me Kosovën, BE-ja ka marr obligim që të realizojë perspektiven evropiane të Kosovës. Kurse, kriteret e Kopenhagës flasin qartë që qëllimi i përmbushjes së kritereve të Kopenhagës është anëtarësimi në BE.

Në MSA Kosova është e denominuar me fusnotë

Ky është argumenti politik më i theksuar gjatë këtyre ditëve, por Kosovën nuk e kanë njohur 5 vende anëtare dhe MSA nuk mund të ndryshojë këtë realitet. Fusnota ishte një fakt përkohësisht i pranuar nga Republika e Kosovës, me qëllim të integrimit sa më të plotë të Kosovë në skenën ndërkombëtare.

Mosnjohja nga 5 vendet/MSA/statusi i kandidatit

Për mosnjohjen e 5 vendeve dhe pamundësinë për t’u ndryshuar ky realitet nga MSA, sqaruam edhe më sipër, sidoqoftë këto 5 vende të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, po e mbështesin në vazhdimësi procesin integrues të Kosovës dhe përkundër mosnjohjes.

Këto 5 vende kanë mbështetur edhe negociimin e një MSA-je, e cila është në tërësi, në formë dhe në substancë e njëjtë me vendet e rajonit dhe e cila siguron avancimin e procesit integrues të Kosovës. Pas miratimit të MSA-së në Këshillin e BE-së dhe Parlamentin Evropian, kjo MSA është thënë se do të hyjë në fuqi në vitin 2016. Derisa, prioriteti afatmesëm i Qeverisë së Kosovës duhet të jetë zbatimi i plotë i obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje. Pas zbatimit të MSA-së, i cili do të vlerësohet së bashku me Komisionin Evropian, Qeveria duhet të bëjë edhe dorëzimin e kërkesës për statusin e kandidatit.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Shumica e shkrimeve te juaja jan te sakta , por ajo qe nuk e keni cek osht se kjo nuk mund te quhet MSA aspak …..!!! Siq dihet per te qen Marreveshje e Stabilizim Asocimit duhet te ratifikohet nga shtetet anetare …. kete e parasheh T.Lisbones ….. por ajo qe po behet eshte ratifkimi ne Parlamentin Evropian ….!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button