Tata: Barça – Milan, duel i ekipeve në krizë

Tata Martino e ka formulën për të mundur Milanin. Në konferencën e zakonshme për shtyp përpara ndeshjes së dytë ndaj kuqezinjve, tekniku argjentinas kërkon përqendrim nga skuadra e tij pasi një tjetër barazim do t’i komplikonte pozitat e skuadrës katalanase që kryeson grupin me 7 pikë.

“Duhet të jemi shumë të lëvizshëm dhe koherentë në fushën e lojës. Nuk mund të luajmë si në përballjen e parë kur Milani na imponoi ritmin. Me skemën 4-5-1 ishte e vështirë të çanim në mbrojtjen e tyre. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për kreun e klasifikimit”.
Lionel Messi po kalon një moment jo shumë pozitiv në aspektin personal, por Martino duket i lodhur me këtë temë.

“Është pyetja e 20-të që më bëhet për të. Mund të them vetëm se jam shumë i lumtur që stërvis një lojtar si ai. Është e vërtetë që nuk shënon që prej 4 ndeshjesh por kjo nuk ka aspak rëndësi. Lionel vjen pas dy dëmtimeve të njëpasnjëshme dhe duket qartë që nuk e ka fituar ende formën optimale”.

Milani po kalon një krizë në Itali por ka njerëz që shikojnë në krizë edhe Barcelonën dhe tekniku preferon të përgjigjet me ironi.

“Milani është në krizë? Atëherë jemi barazim sepse edhe ne ndodhemi në krizë. Le të bëhemi seriozë. Dëgjoj shpesh që po kalojmë një moment jo të mirë. Jam dakord vetëm pjesërisht sepse një skuadër duhet të përmirësohet çdo ditë dhe ne duhet të punojmë më shumë për të arritur formën optimale të disa lojtarëve”.

Në fund edhe një koment për stilin e lojës që Barcelona po aplikon këtë sezon. Blaugranat janë larguar disi nga “tika-taka” e famshme, por Martino thekson se në këndvështrimin e tij nuk ka shumë rëndësi mbajtja e topit por efikasiteti. Për të marrë një shembull, ai përmend golin e Alexis Sanchez ndaj Realit të Madridit, që sipas Martinos edhe pse erdhi pas vetëm tre pasimeve, rrjeta e kilianit mund të cilësohet e mrekullueshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button