Rama: Koordinimi ndërmjet vendeve, i rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit financiar

Koordinimi i mbikëqyrjes ndërmjet vendeve dhe ndërmjet sektorëve të brendshëm të ekonomisë është shumë i rëndësishëm, sipas vlerësimit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për ruajtjen e stabilitetit financiar në një sistem të integruar global. Rama thekson se ky koordinim ka rëndësi, pasi siç e tregon edhe kriza më e fundit e refugjatëve i vendos vendet përpara zhvillimeve të paparashikueshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Banka e Shqipërisë në bashkëpunimin me Universitetin e Oksfordit kanë organizuar konferencën e saj vjetore me temë: “A i ndryshojnë krizat themelet ekonomike në vendet e Evropës Juglindore?” Një fjalim në këtë konference mbajti Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Rama në fjalën e tij u ndal edhe në zhvillimet e aktivitetit ekonomik të vendeve të Evropës Juglindore, në bashkëpunimin ndërkombëtar ekonomik, etj.

“Sipas raportit të Bankës Botërore për Evropën Juglindore, ku edhe në përfshihemi, thuhet se ndoshta asnjë rajon tjetër në Evropë nuk është i ndjeshëm ndaj krizës së euros se sa vendet e Evropës Juglindore, me sfida shumë serioze për këto ekonomi të vogla. Perspektivat e rritjes ekonomike të këtij rajoni varen gjerësisht nga faktorë të jashtëm, duke përfshirë edhe rimëkëmbjen e kërkesës së jashtme veçanërisht në Evropë. Në fakt pas një dekade me norma të larta të rritjes ekonomike, rajoni i Evropës Juglindore u prek rëndë nga kriza ekonomike dhe fiskale në zonën e euros. Aktiviteti ekonomik në Evropën Juglindore vuan nga një kërkesë e dobët e brendshme dhe nga një papunësi e lartë dhe nga sistemet bankare të ngarkuara me shumë kredi jo perfomuese”.

Rama ka pohuar se koordinimi i mbikëqyrjes ndërmjet vendeve dhe ndërmjet sektorëve të brendshëm të ekonomisë është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit financiar në një sistem të integruar global që siç e tregon edhe kriza më e fundit e refugjatëve i vendos vendet  përpara zhvillimeve të paparashikueshme, vetëm deri pak kohë më parë. “Kriza vë në dukje faktin se bashkëpunimi ndërkombëtar ekonomik dhe integrimi janë bërë të domosdoshëm pasi asnjë vend nuk e ka më të mundur të trajtojë sfidat e reja i izoluar nga vendet e tjera”- u shpreh Rama.

Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se aktiviteti ekonomik në Shqipëri vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive, por jo aty ku dëshirohet.  Sipas tij, Shqipërisë, ashtu sikurse të gjithë rajonit të Evropës Juglindore, i duhet një shteg i ri që investitorët e ri të shohin  përsëri oportunitete fitimi.  Ai ka pohuar gjithashtu se Banka e Shqipërisë është përpjekur të rrisë transparencën me publikun.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button