Mustafa dhe Ahmeti, pa oferta shtesë!

Të dy kandidatët Isa Mustafa nga LDK dhe Shpend Ahmeti nga VV, të cilët do të përballen në balotazh, në raundin e dytë për të parin e Komunës, synojnë ta fitojnë Prishtinën në raundin e dytë që do të mbahen dielën e një dhjetorit.

Edhe pse rezultatet e ballafaqimit të parë, të dielën e kaluar, tregojnë se kandidati i LDK-së ka siguruar 43 për qind të votave, ndërkaq ai i VV 31,58 për qind, të dytë shprehen të sigurt se do ta fitojnë betejën për Prishtinën, edhe pse nuk kanë ndonjë strategji apo premtime shtesë në programet e tyre, me të cilat do t’i “joshnin” prishtinasit.

Vjosa Osmani, nga LDK, u shpreh e bindur se ashtu siç tregon rezultati në raundin e parë që i nxori prijës, do të jetë edhe në të dytin.
“LDK ka prezantuar projekte që janë të realizuara dhe do t’i realizojë”, tha Osmani. Sipas saj, programi i prezantuar është intensiv në të gjitha fushat, por ka nevojë të prezantohet në çdo lagje. Ajo thotë se nuk ka oferta shtesë, por ka shtuar se do të bëhen analiza nëse ka nevojë të shtohet diçka.

Në pyetjen se a do të vazhdojë kryetari Mustafa t’u ikë debateve me Ahmetin nga VV, sikurse ka bërë gjatë fushatës së kaluar ajo nuk komentoi asgjë duke thënë se ky është vendim i vetë kryetarit Mustafa.

”Mustafa në fakt nuk u ka ikur debateve primare por ka bërë fushatë në mënyrë tjetër pasi në debatet ku kanë marrë pjesë 8-9 kandidatë për Prishtinën, nuk i është dhënë hapësirë për ta prezantuar programin”, ka thënë ajo. E prioritet në qeverisjen e ardhshme për Prishtinën kjo parti, sipas saj, i ka dhënë shtimit të hapësirave të gjelbëruara, arsimit, kulturës, sportit, zhvillimit të bujqësisë, zhvillimit të veprimtarive që konsiderohet si një prej formave më të mira për nxitjen e zhvillimit ekonomik, etj.

E kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja “Vetëvendosje” tha se me programin gjithëpërfshirës të paraqitur gjatë fushatës fitoren e kanë afër. “Në tashmë e kemi programin dhe do ta përdorim këtë kohë të fushatës për ta prezantuar atë më detajisht. Do të jemi prezent edhe më shumë në lagje të kryeqytetit dhe por edhe në fshatra”, tha Ahmeti. Sipas tij, Prishtina ka nevojë për qeverisje të re.

“Në të vërtetë, Prishtina ka nevojë për vullnet të ri, për ide të reja. Ne me takime dhe ide tashmë kemi fituar një mbështetje të gjerë. Do të punojmë edhe me votuesit e subjekteve të tjera që më nuk janë në garë dhe që kanë qenë për ndryshim. Prandaj mendoj se fitorja është afër”, shtoi Ahmeti.

I pyetur rreth debateve, Ahmeti tha se “jo vetëm që kam marrë pjesë në debate, por jam i gatshëm në çfarëdo kohe të ballafaqohet me kandidatin Mustafa”.

Projektet prioritare, sipas tij, janë uji, çerdhet publike, institucionet parashkollore, shkollat dhe departizimi, trafiku e transporti publik si dhe urbanizmi dhe ndërtimet në kryeqytet./ Zëri

Lajme të ngjashme

Back to top button