Izraeli cakton kufijtë e Palestinës së re

Negociatorët izraelitë u kanë thënë homologëve të tyre palestinezë se “Muri Ndarës” që kalon përmes Bregut Perëndimor të pushtuar do të shërbejë si kufiri i një shteti të ardhshëm palestinez, bëjnë të ditur mediat lokale.

Vetëm pak orë para mbërritjes së Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, për bisedime të niveleve të larta mbi negociatat e drejtpërdrejta në procesin e paqes të martën, dy raportime mediatike thanë se ekipi izraelit ka bërë tashmë propozimin.

“Pozicioni aktual i Izraelit është që si kufi të shërbejë itinerari i barrierës ndarëse (murit) dhe jo vija kufitare e vitit 1967 siç kanë kërkuar palestinezët”, thuhej në një raportim të publikuar në radion publike.

Që prej rifillimit të bisedimeve në fund të korrikut, palestinezët janë ankuar vazhdimisht për mungesën e qartësisë së Izraelit mbi çështjen e kufijve.

Palestinezët këmbëngulin se bisedimet duhet të bazohen mbi kufitë që ekzistonin përpara Luftës 6-ditore të 1967-s, kur Izraeli sulmoi dhe pushtoi Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalimin lindor arab.

Por, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar një rikthim të kufijve të 1967 si “të papërligjshëm”, duke shtuar se një gjë e tillë nuk do të merrte parasysh “ndryshimet demografike” përgjatë 46 viteve të fundit, në një eufemizëm të qartë për vendbanimet hebreje. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button