PDSH: Shkupi nuk zbukurohet për Ramën, si për Daçiqin

PDSH-ja opozitare ka kritikuar BDI-në dhe ka kërkuar llogari prej saj për mos vendosjen e flamujve në kryeqytet në nder të vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama. PDSH-ja ka bërë paralele me vizitën e para disa muajsh të kryeministrit serb Ivica Daçiq, kur sipas tyre Shkupi për dallim nga tani, ishte përplot flamuj serb.

“BDI është partner koalicioni në Qeveri dhe në Qytetin e Shkupit dhe si e tillë duhet të del dhe të jep llogari para shqiptarëve, se pse sot në Shkup nuk valon asnjë flamur shqiptar. Për PDSH-në dhe për shqiptarët kjo është skandaloze dhe e papranueshme. Por, për fat të keq është vetëm edhe një tregues për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjenden shqiptarët, si pasojë e këtij vasaliteti të BDI-së në pushtet”, tha Bekim Fazliu.

Akuzave të tilla u është përgjigjur zëdhënësi i Qeverisë Muhamet Hoxha, i cili tha se bëhet fjalë për mosdije nga ana e PDSH-së, dhe se kryeministri Rama do të pritet me nderimet më të larta shtetërore gjatë ditës së nesërme.

“Habit fakti se si opozita shqiptare, gjegjësisht PDSH-ja nuk është e informuar lidhur me vizitën e kryeministrit Rama në Maqedoni. Kryeministri shqiptar z. Rama nesër do të realizojë vizitën zyrtare në vendin tonë, ku edhe pritet të realizojë takimet zyrtare me kreun shtetëror dhe liderët e partive shqiptare. Gjatë kësaj vizite të parë zyrtare, z. Rama do të pritet sipas procedurës që e parasheh protokoli diplomatik, sikurse edhe çdo vizitë që e realizojnë kryeministrat e tjerë në vendin tonë”

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me ftesë të kryeministrit Gruevski do të qëndrojë në vizitë dy ditore në Maqedoni, vizitë e parë e tij zyrtare në Shkup që pas ardhjes në postin e kryeministrit.

Lajme të ngjashme

Back to top button