Qose: Te ne nuk ka një hierarki të tillë që t’i komandojë punonjësit si marioneta

Admir Qose prej pak ditësh është emëruar kryeredaktor i televizionit Alsat-M. Si një prej redaktorëve të parë të stafit që erdhi nga Shqipëria për të ndërtuar televizionin e ri në Maqedoni, Qose ka punuar në më shumë departamente duke dhënë kontributin e vet domethënës e duke ndërtuar kështu në vite një profil të ngrohtë për shikuesin, si prezantues i edicionit të lajmeve, emisioneve të ndryshme e të tjera.

Për gazetën KOHA, Qose tregon sfidat e reja dhe ndryshimet në televizion, në formë dhe përmbajtje. Tregon sesi do t’i japë medias atë që i ka munguar dhe është dashur të ndryshojë më parë. Më konstruktivë dhe më të argumentuar, më kritikë dhe më gjithëpërfshirës se më parë.

“Televizioni Alsat-M para disa kohësh festoi 10 vjetorin e themelimit dhe ajo që u vu në theks – është rruga që televizioni e ka të trasuar tashmë. Prej vitesh ne ecim në këtë rrugë shumë të sigurt dhe ideja është që ne i shërbejmë një tregu më të gjerë. Alsat-M tashmë ka një moto që nënkupton Alsat-M për të gjithë dhe ne jemi përpjekur, përpiqemi dhe do të përpiqemi gjithashtu që edhe në të ardhmen, çdo hallkë e shoqërisë të ketë zërin e saj. Ky është koncepti që jorastësisht na ka vendosur të dytët në tregun mediatik në nivel nacional dhe të mos flasim për pjesën shqiptare që na mbështesin me 76 për qind, jo vetëm për shikueshmëri, por edhe për besueshmëri. Alsat-M i ka vendosur themelet e veta shumë fuqishëm dhe sigurisht që në këto kohë të reja dhe me ardhjen time në këtë pozitë, do të bëjmë lëvizje interesante që mbi të gjitha i përshtaten jo vetëm rrethanave shoqërore, por edhe atyre politike e të gjithë spektrit mediatik. Duhet të bëjmë një format të ri organizativ, i cili gradualisht është në rimëkëmbje, një frymim të ri jo vetëm për gazetarët, por edhe për departamentet tona të lajmeve. E kam fjalën për miniredaksitë, pra një miniorganizim i brendshëm, i cili do të japë një liri, por edhe përgjegjësi më të madhe gazetarëve. Ato të kenë përgjegjësi për ato që bëjnë, por njëkohësisht të kenë edhe zërin e barabartë në ekip. E kuptoj që Alsat-M e ka ndjekur shumë lajmin politik, për shkak edhe të situatës politike të krijuar, por unë kam shumë dëshirë që t’i jap edhe një diapazon të ri, në kuptimin të kemi aspektin shoqëror, padallueshëmërinë etnike, siç e kemi pasur deri më sot, ta vazhdojmë dhe ta forcojmë atë, të mbjellim sa më shumë bashkëjetesë, por nga ana tjetër – të japim një frymim më të madh edhe nga aspekti kulturor-shoqëror. Pra të mos bëjmë thjeshtë një ditar politik edicionin e lajmeve, por të bëhet sipas një paketimi të jashtëzakonshëm, të bukur, në mënyrë që të përqafohet nga të gjitha kategoritë e shikuesve dhe padyshim unë besoj se do të jetë jashtëzakonisht i mirëformuar. Jemi duke punuar në atë drejtim, jo vetëm nga aspekti vizual, të cilat së shpejti do të mund t’i ndjekim këto ditë në ekran, që nga sigla, promet, e të tjera”, ka thënë Qose.

“Tek ne nuk ka një hierarki të tillë që t’i komandojë punonjësit si marioneta. Tek ne ekziston fryma e bashkëpunimit, kolegjialitetit, por dua të theksoj edhe ndjenjën e përgjegjësisë. Sepse, në fund të fundit – puna e secilit është imazhi i televizionit dhe ata duhet ta vetkonceptojnë njëri-tjetrin si ingranazhe të së njëjtës makinë që punën mirë, por që duhet të funksionojë akoma edhe më fuqishëm”, ka përfunduar intervistën Qose./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button