Basha akuzon Aleksandër Frangajn për grabitje të pasurive publike

Pas një heshtjeje, nervozizmi dhe shqetësimi të maskuar, më në fund, Lulzim Basha ka shpërthyer ndaj ish-klientit kryesor dhe të rrethit të parë të Sali Berishës. Lulzim Basha ka sulmuar dje për herë të parë, Aleksandër Frangaj, i cili po tradhton vijën e SHQUP, pasi përfitoi për 8 vite me radhë pushtetin e PD.

Akuza është artikuluar me anë të deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri. PD i është bashkuar shqetësimit të bashkëpronarëve të kompleksit “Laguna Blu” në Golem, të cilët i kanë drejtuar një peticion kryeministrit Rama, që të mos lejojë prishjen e ambientit sportiv, në të cilin po synon të ndërtojë klienti i tij, Aleksandër Frangaj.

“Klientelizmi dhe dy standardet, shoqëruar me dhunë e arbitraritet janë e vetmja formë për këtë qeveri që po numëron ditët e fundit. “ ‘Ligji i Maliqit’ për të pamundurit dhe privilegji e hatri për miqtë janë shfaqur së fundmi në formën më arrogante të mundshme në bregdetin e Golemit, ku Edi Rama ka dhënë leje për prishjen e ambienteve sportive e të përbashkëta për banorët, në resortin Laguna Blu, duke lejuar që aty të hedhë shtat një ndërtim skandaloz”, deklaroi Strazimiri. Deputeti deklaroi se ky ndërtim është lejuar me firmën e Ramës në këmbim të mbështetjes mediatike.

“Partia Demokratike e dënon këtë akt korruptiv të Edi Ramës dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe kthimin në ligjshmëri. Ky regjim arbitrar, klientelist e me dy standarde i ka ditët e numëruara, dhe shpejt do të vijë koha e ballafaqimit me ligjin, për këtë dhe për të gjitha zullumet që ka bërë në këtë vend, sado të përpiqet të shtojë me mjerane të rinj, haremin e tij mediatik”, u shpreh Strazimiri. Pasuritë publike Deputeti Strazimiri tha se Rama po firmos për të grabitur pasuritë publike.

“Me firmën e Edi Ramës po grabitet një pasuri publike për t’u kthyer në biznes për klientelën e tij dhe për ata që kërkon t’i nënshtrojë. Kjo ndodh në kohën kur Edi Rama ka lënë mijëra familje pa strehë e pa dyqanin e tyre të vogël d.m.th pa bukën e fëmijëve, duke u ndërsyer fadromat e dhunshme të bandës që e quan “INUK”, ngado në çdo cep të vendit”, tha ai. Ai thotë se Rama po përpiqet me çdo kusht, duke bërë favorizime të tilla, për të fituar kredo për qeverinë e tij.

“Kjo ndodh në kohën kur Edi Rama ka shembur e bërë hi mijëra ndërtime të ligjshme apo në legalizim, të ngritura me mundin e djersën e të pamundurve të këtij vendi. Me të njëjtin arbitraritet e paligjshmëri kryeministri oksidental po zhduk një hapësirë sportive të përbashkët, për t’ia dhënë përsëri për ndërtim “Koçove” të tij, përsëri në breg të detit, në mënyrë që të fitoje një tjetër mjero mediatik, e kësisoj, më shumë propagande e përkrahje për një regjim që askush s’e do më”, u shpreh deputeti.

Nga ana e tyre, bashkëpronarët janë shprehur se ky është një rast më shumë se flagrant i shkeljes së ligjeve ne fuqi, vendimeve të qeverisë për moraturium në bregdet, si dhe i të gjitha të drejtave bashkëpronësisë me një background tërësisht korruptiv për të cilin Prokuroria duhet të fillojë menjëherë hetimet kryesisht në sqarimin e plotë dhe nxjerrjen e përgjegjësve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button