VV: MSA-ja ka vlerë simbolike, marrëveshje të tillë ka edhe Siria me BE-në

Në vazhdim po e sjellim të plotë komunikatën e këtij komiteti të Vetëvendosjes.

Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim, e nënshkruar sot midis Kosovës me footnotë dhe BE-së nuk erdhi si rezultat i përpjekjeve dhe të arriturave në luftimin e korrupsionit, as si rezultat i përmirësimit e zhvillimit ekonomik, as si rezultat i reformave institucionale por si produkt i Dialogut me Serbinë.

Sigurisht nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ka vlerë simbolike për Kosovën por kjo marrëveshje i ka disa probleme themelore për të ardhmen e shtetit tonë. Së pari, përfitim politik të drejtpërdrejtë nga ky nënshkrim nuk ka. Kosova ende nuk njihet si shtet nga institucionet e Bashkimit Evropian, kështu që nuk mund të aplikojë për anëtarësim. Pra, në planin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian nënshkrimi i MSA nuk nënkupton avancim në drejtim të procesit të integrimit as në atë të liberalizimit të vizave. Sa i takon forcimit të shtetësisë së Kosovës ndryshe nga çka ndodhur me vendet e rajonit këtë marrëveshje nuk do ta ratifikojnë vendet anëtare të BE-së në parlamentet e tyre.

MSA është marrëveshje “asociimi” apo bashkëpunimi. Të tilla marrëveshje përveç vendeve të rajonit tonë, me BE-në kanë dhe vende që nuk janë fare në kontinent, si Siria për shembull. Në planin e politikës së jashtme në rajonin e Ballkanit në Nenin 13 kjo marrëveshje e vendos Kosovën në një marrëdhënie ndërvarësie me Serbinë dhe kërkesat e saj për brenda Kosovës.

E sa i takon çështjeve ekonomike që është dhe thelbi i marrëveshjeve si kjo theksojmë se edhe deri më tani Kosova e ka pasur mundësinë e eksporteve në vendet e BE-së por s’e ka përdorur dot për shkak të mungesës së aftësisë konkurruese dhe standardeve. Në këto kushte eksportet e prodhimeve nga Kosova edhe pas nënshkrimit të MSA-së nuk kanë mundësi që të rriten. Kjo edhe meqë asnjë qeveri nuk ka punuar në drejtim të mbështetjes së prodhuesve të Kosovës. Në fakt e kundërta do të ndodhë, pra importi nga vendet e BE-së pritet të rritet për rreth 7% siç kanë shpjeguar edhe ekspertët e BE-së në prezantimet e tyre në Kosovë. Në dokumentet zyrtare të Qeverisë së Kosovës paraqitet në shifra konkrete që humbja në buxhetin e Kosovës nga nënshkrimi i MSA do të jetë rreth 25 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button