Jahjaga: MSA-ja, rruga për anëtarësimin e Kosovës në BE

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka uruar për nënshkrimin e MSA-së.

Ajo, këtë ditë e ka cilësuar si shumë të veçantë, pasi përmes saj, Kosova do të nis rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Më poshtë gjeni deklaratën e Jahjagës:

Sot është një ditë shumë e veçantë për Republikën e Kosovës. Në një ceremoni të organizuar në Strasburg, Kryeministri i Kosovës dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Përmes kësaj marrëveshje, Kosova sot nisë rrugëtimin e saj të pakthyeshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në familjen e shteteve që ndajnë vlerat e lirisë, demokracisë, barazisë dhe sundimit të ligjit.
Uroj përzemërsisht qytetarët e Kosovës për këtë arritje të jashtëzakonshme. Ky përparim është rezultat i reformave të përmbushura dhe konsensusit të gjerë shoqëror dhe politik që gëzon agjenda evropiane në Kosovë. Arritëm këtu, deri te kjo ditë historike për Kosovën, me angazhim të gjerë të qytetarëve, institucioneve, spektrit politik, shoqërisë tonë civile, komunitetit të biznesit e shumë segmenteve tjera të shoqërisë.

Nga sot, Kosova vendos marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, marrëdhënie kjo me të drejta dhe detyrime të ndërsjella. Kjo marrëveshje do të ndihmojë në zbatimin e reformave në shumë sektorë, si dhe do thellojë dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Përfitimet e Kosovës janë të shumta, sidomos në nxitjen e investimeve të jashtme dhe krijimin e kushteve sa më të mira për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

I shpreh mirënjohjen time institucioneve të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare për mbështetjen e vazhdueshme për rrugën e qartë evropiane të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kosova ka një rrugë të gjatë përpara që kërkon shumë përpjekje nga ana jonë deri në cakun final të anëtarësimit. Ne jemi përcaktuar në anën e drejtë të historisë dhe kemi përqafuar vlerat dhe idealet e paqes e lirisë. Kjo rrugë tashmë është e qartë, reciproke dhe e pakthyeshme.
Urime!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button