Kulminacioni i turpit Perëndimorë

S’ka dyshim se hyrja e trupave amerikane dhe aleatëve të saj në Lindjen e Mesme, kishte pasoja katastrofale për paqen dhe stabilitetin në rajon. Pretenduesit që mbanin flamurin e paqes, dolën me fytyrë tjetër, me fytyrën e një vrasësi pa pikë mëshire, gjakderdhjen fisnore dhe fetare, bombardimin e xhamive, dhunimin e grave, emigrimin e qindra mijëra arabëve drejt vendeve tjera, për ta shijuar sadopak, aromën e asaj paqe që e proklamonin SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Shumë prej organizatave për të drejtat e njeriut, filluan të dërgonin kritika të ashpra kundër mënyrës se si funksionojnë trupat e huaja në Lindjen e Mesme, e posaçërisht, në Irak dhe Afganistan.

Ne jemi dëshmitarë të kulminacionit të gjakderdhjes, dikush qanë nga kjo situatë, e dikush e mbush xhepin, dikush përfiton personalisht, e dikush përfiton fetarisht.

Para se të ndërmarrin hapat për hyrjen në Irak, në vitin 2003, përfaqësuesit e fuqive botërorePerëndimore, SHBA-të dhe Britania e Madhe, tentonin ta bindin opinionin se invazioni i tyre është legjitim dhe se gjithçka është në përputhje me ligjet ndërkombëtare, gjoja, për të kërkuar bombat atomike të presidentit të atëhershëm irakian, Saddam Husein.

Makineria mediatike që mbronte këtë politikë vrasëse dhe përçarëse, e ndau botën në dy grupe, siç e kishte theksuar ish-presidenti amerikan, George W. Bush, në atë kohë se “Ose je me ne, ose je me terroristët”.

Kjo politikë shkaktoi ndarje dhe përçarje në gjithë rruzullin tokësorë, ngase çdo shteti, me dhunë ose pa dhunë, iu imponua të jetë ose me SHBA-të, ose nëse eventualisht dëshironte të mbetet indiferent, automatikisht bëhej përkrahës i terroristëve.

Pastaj, makineria për tentimin e krishterizimit të popullit irakian nuk kishte të ndalur, me trupat ushtarake, u futën edhe trupat e misionarëve evangjelist dhe protestantë, duke dërguar mbi 600.000 Bibla në Irakun e pasluftës, ndërtimin e kishave, rrënimin e xhamive, propaganda mediatike që ndihmohej nga “aleatët” e brendshëm amerikan në Irak, për ta bindur një popull që shekuj me radhë përkatësohen në Islam, se feja Islame nxit urrejtje dhe terror, se shkaktari kryesorë për gjakderdhjet dhe vrasjet, janë myslimanët.

Që nga viti 2003, asnjëherë nuk i kam larguar sytë nga Lindja e Mesme, thellë në shpirt më ka prekur çdo padrejtësi dhe fjalët që i thosha atëherë, i them edhe sot, se pasojat e invazionit amerikan në Afganistan dhe Irak, do t’i ndjejnë dhe shijojnë qytetarët amerikan dhe evropian, të pafajshmit, të cilët do të ballafaqohen me urrejtje të përgjithshme nga të gjitha vendet dhe shtetet, vetëm pse në krye të disa shteteve, kishte pasur kryeministra që pas vrasjes së qindra mijërave civil të pafajshëm dhe bombardimin e spitaleve, shkollave dhe llogoreve ushtarake, pa fije përgjegjësie dhe ndërgjegje, deklaron në media duke thënë “Më falni”, duke e pranuar se hyrja në Irak ishte planifikuar dhe nënshkruar në vitin 2002.

Ku mbeti ndërgjegjja dhe përgjegjësia? Po sikur të kishte dalë menjëherë pas sulmit të 11 shtatorit, Osama bin Laden dhe të kërkonte falje, a do ta pranonin Organizata e Kombeve të Bashkuara faljen e tij?

Për futjen e trupave amerikane dhe aleatëve të saj në Irak dhe Afganistan, është legjitimuar dhe arsyetuar çdo vrasje, bombardim dhe shkatërrim të çdo objekti që shihej si “i dyshuar”. Kjo ndodhi edhe para disa javëve, kur sulmet ajrore amerikane, bombarduan “gabimisht” spitalin në Afganistan, duke vrarë të sëmurë dhe mjekë, fëmijë, gra, pleq dhe, pas gjithë kësaj, u kërkua falje, kinse ka qenë gabimisht.

Edhe sikur ta besojmë se ka qenë gabimisht, kush do t’i ngjallë viktimat? Ku mbeti përgjegjësia dhe ndërgjegjja, kush duhet të jep llogari? Po sikur sot, të dalin të gjitha grupet xhihadiste dhe të kërkojnë publikisht falje për çdo civil të vrarë, a do ta pranonte bota faljen e tyre, duke i shfajësuar totalisht dhe duke mos i ndjekur me burg?

Përgjigjen, e ka të ditur çdo i mençur. Por nuk është ndalur vetëm në ndjekjen e terroristëve, por edhe çdo person i cili ka qenë i dyshuar dhe është shoqëruar me ndonjë të dyshuar, ka qenë i ndjekur, i akuzuar, i arrestuar dhe i bojkotuar, e ndonjëherë edhe pa asnjë dëshmi të vetme, thjeshtë, vetëm pse ka pasur mjekër, ose ka qenë kritik dhe kundër hyrjes së trupave amerikane në Irak dhe Afganistan.

Sot, nuk janë më myslimanët që e kritikojnë një akt të tillë i cili ka qenë gabim total, por janë përfaqësuesit politik, kryeministrat e shteteve dhe qeverive, aktivistë për të drejtat e njeriut, organizata dhe lëvizje qytetare, mediume dhe gazetarë, të gjithë u ngritën për ta kritikuar aktin e futjes së “paqes” në Irak me mbi 50.000 trupa ushtarake.

Sot, me sytë dhe veshët tanë e dëgjojmë turpin, nga ish-kryeministri britanik, Tony Blair, fjalën “Më fal”, duke mos u marr asnjë iniciativë për përgjegjësi, për hulumtim dhe shqyrtim të krimeve dhe vrasjeve, thjeshtë, me fjalën “më fal” shpëtojnë dhe ikin prej vrasjeve që atëherë ishin legjitime, e sot, quhen jo legjitime. Ne kurrë nuk e harrojmë se ajo që veproi Hitleri në kohën e tij, në bazë të ligjeve të shtetit, ishte legjitime, por pastaj Gjermania u ballafaqua me dënime maksimale për t’i paguar gabimet e një nazisti që punonte pa konsultimin e asnjërit. A thua, sot, a ka dikush që do të kërkojë llogari nga SHBA-të dhe Britania e Madhe?

Dhe ne do të vazhdojmë t’i shijojmë turpet që nuk i duron njeriu i ndërgjegjshëm. Si çdoherë, gabimet e përfaqësuesve politik, i shijojnë qytetarët e atij shteti dhe jo presidentët dhe kryeministrat, sepse ata pas largimit nga posti, ikin drejt relaksimit dhe argëtimit familjarë. Për fat të keq!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button