Vetëvendosje: Zhvatja përmes autostradës nuk e mbulon dot ‘Zajednicën’!

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar nëpërmjet një komunikate në lidhje me përurimin e sotëm të segmentit të parë të autostradës “Arbën Xhaferi” nga ana e qeveritarëve.

Ja komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje

Koalicioni i Rashkës PDK-LDK-Srpska, për ta tërhequr vëmendjen nga gjendja që ka krijuar duke mbrojtur me çdo kusht ‘Zajednicën’ ka filluar të shpikë ngjarje sa për ta aktruar normalitetin. Qenka përuruar autostrada që lidhë Prishtinën me Shkupin? Jo, në fakt, u mblodhën dhe festuan për përfundimin e ‘një segmenti’.

Ky koalicion për ‘Zajednicën’ zbulon brishtësinë e tij pikërisht tek çështjet ku pretendon të prezantojë tregime suksesi. Isa Mustafa duke u krekosur tha se “ky qenka udhëkryqi më i madh në rajon”. Autostradat e ndihmojnë zhvillimin, kur ato shërbejnë si ulje e kostos për eksportin e mallrave të prodhimit vendor. Por, në kushtet e nivelit të ulët të eksportit, ato veçse ndihmojnë në rritjen e bilancit negativ tregtar. Përderisa në fushatë zgjedhore partitë e koalicionit gënjenin popullin duke premtuar herë 120 mijë e herë 200 mijë vende pune, tash krenohen që Kosova po bëhet treg e vend tranziti për mallrat e huaja, duke i dhënë me këtë rast tender prej 600 milionë euro korporatës Bechtel-Enka, e cila më herët na i fshiu një miliardë euro për asfaltin që shkoi sa trefishi i çmimit të tregut.

Projekti 600 milionësh për autorrugën Prishtinë-Shkup është në përputhje të plotë me logjikën që e ka përcjellur procesin e dialogut me Serbinë. Kjo Qeveri është formuar për të shërbyer si instrument për interesat e huaja: qoftë të korporatave të huaja që marrin tenderë apo privatizojnë pasuritë publike, të mallrave të huaja që po ua shtrojmë rrugën, apo të shteteve fqinje që po u japim territor.

Pa fabrika tonat, autostradat tona nuk janë tonat. Në autostradën “Arbën Xhaferi” do të kalojnë 20 herë më shumë kamionë me mallra të Maqedonisë për në Kosovë sesa anasjelltas. Arbën Xhaferi po rrotullohet në varr nga përurimet e kësaj qeverie kuislinge.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button