Turqi, imazhe shokuese; fëmija shpëtohet nga peshkatarët
Disa peshkatarë nga qyteti turk i Kushadashit i erdhën në ndihme vogëlushit që mbante jelek shpëtimi. Fillimisht ata menduan se kishte vdekur, por pasi dëgjuan zhurma e nxorën menjëherë nga uji dhe u përpoqën ta rikthenin në jetë.
Më pas, pranë zonës u gjet edhe një grup refugjatësh me jelekë shpëtimi… Vogëlushi, i cili është identifikuar si Muhamed Hasan, u dërgua në një spital të Izmirit, dhe tani është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai është bashkuar me nënën e tij, një 23-vjeçare, e cila tha se trafikantët i kishin premtuar se do të udhëtonin në një varkë më të madhe, nga ajo në të cilën u detyruan të ndërmerrnin udhëtimin e rrezikshëm.
“Ai ishte shumë i zbehtë. Ne dyshuam se bëhej fjalë për hipotermi, pasi ishte i ftohtë. Duart dhe këmbët i kishte të bardha. E mbuluam me batanije që të ngrohej dhe u përpoqëm ta shpëtonin. 2 varka të tjera, të sinjalizuara prej nesh na erdhën në ndihmë dhe e dërguan djalin në Kushadashi”, tha Rexhep Evran, drejtuesi i peshkarexhes.
Mësohet se fëmija 18 muajsh, gjendej në njërën prej dy varkave që ishin nisur të enjten nga Turqia drejt Greqisë. Varkat u përmbysën në ujërat e Egjeut, dhe si pasojë 2 refugjatë humbën jetën, 15 u shpëtuan dhe 16 janë shpallur të zhdukur.
Roja Bregdetare turke po vazhdon kërkimet për gjetjen e refugjatëve të tjerë. Trupat e 29 personave që mendohet të jenë emigrantë u zbuluan të shtunën në bregdetin e Zliten, 160 km në lindje të Tripolit. Deri më tani mbi 2600 emigrantë besohet se janë mbytur në përpjekjen për të arritur në Europë përmes Mesdheut./TopChannel