Kriza në Kosovë dhe “nuk më plas fare” e Tiranës zyrtare

Situata politike në Kosovë sa vjen dhe bëhet më e agravuar me mazhornacën që nuk lëshon pe dhe me Opozitën që kërkon me çdo kusht anulimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi. Kuvendi prej disa javësh nuk po funksionon për shkak të gazit lotsjellës që hedhin deputetët e Opozitës, ndërsa faktori ndërkombëtar bën apel për qetësim.

Por në të gjithë këtë kaos e vetmja që nuk po ndërhyn dhe po qëndron e heshtur është Tirana zyrtare.

Lideri i Vetëvendosjes kërkoi ditë më parë që edhe qeveria shqiptare të ndërhyjë në zgjidhjen e ngërçit, ofertë kjo që u hodh poshtë nga zv/kryeministri Niko Peleshi, i cili i quajti ngjarjet në Kosovë si “çështje e brendshme” e politikës vendase.

“Për ne Kosova nuk është një shtet si çdo shtet tjetër por nga ana tjetër natyrisht që respektojmë edhe vendimmarrjen e Kosovës si shtet. Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer që nuk e kemi me asnjë shtet tjetër në rajon dhe në botë ndërmjet dy qeverive tona”, u shpreh disa ditë më parë numri dy i qeverisë shqiptare.

Një veprim i tillë i Tiranës zyrtare u vu re edhe pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, kur u deshën disa orë që ajo të dilte me një qëndrim publik.

Zyrtarët e Tiranës duhet të dinë se Shqipëria dhe qeveria e saj e ka detyrim kushtetues interesimin për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijve të saj shtetërorë. Në nenin 8 të saj Kushtetuta e Shqipërisë shprehet:

  1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
  2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet.
  3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare…

Por mesa duket Shqipërisë dhe qeveritarëve të saj interesohen për Kosovën dhe për shqiptarët jashtë kufijve të saj shtetërorë vetëm atëherë kur duhet valëvitur “flamuri i patriotizmit” dhe kur duhet nxjerrë në skenë “lideri mbarëkombëtar”.

Le të jetë ky një mësim i mirë për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët sa herë iu shkon për vizitë një politikan nga Shqipëria mbushin rrugët dhe sallat për ti përshëndetur apo për ti vënë edhe epitete të paqena si: “burrë shteti”, “Baba i Kombit” etj…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button