Letër shokut që më pyeti!

Një ditë një shok më pyeti se pse shkruaj. Duke e analizuar dhe mirëkuptuar atë, dua tani që  t’i përgjigjem.

I nderuar shok,

Dynjaja  ka ca mijëra vjet që po orvatet  për të zgjidhur një  dilemë të madhe, dilemën pra, në mes fytyrës dhe në mes “bafçires”(pasqyrës). Me pak fjalë,shok i dashur,dua të të them se shumica e mendjehapurve dhe miletit të qytetëruar  kanë rendur , kalëruar apo vozitur,si të duash thuaj, përpara përmes të vërtetës. Kur e vërteta nuk thuhet,ose  kur ajo fshihet , ose dhe  deformohet, miletet  nuk ecin përpara. E vërteta është një farë kompasi  i mileteve. Për të vërtetën ka pasur dhe ca  njerëz që kanë marshuar drejt e në turrën e druve. Ata janë djegur, por e vërteta e tyre jo. Ajo ka mbetur dhe sot na ndriçon sokakun edhe kur sokak nuk ka.

Historia jonë dëshmon se ne kemi pasur një marrëdhënie të shtrembër me të vërtetën. Me pak fjalë, sa herë që nuk na ka pëlqyer e vërteta e surratit, ne ia kemi hedhur fajin bafçires .Hala këtu jemi. Jemi duke thyer bafçire për të mbrojtur surratin. Unë këtë nuk e pranoj. Unë nuk besoj se fuqia e surratit është t’i shpëtojë bafçires. Dua që ta detyroj surratin që  ta shohë  bafçiren. Siç është.

A di se ata erdhën  në pushtet duke premtuar  100.000 mijë vende pune? A e di se sipas shifrave zyrtare papunësia është shtuar? A e di se vendi ynë po tretet? A e di se çdo verë nga vendi ynë  ikën një lagje? A e di ç’do të thotë kjo? A e di se çka do të thotë kjo? A e di se këta njerëz që ikin nga vendi ynë nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura, nuk kanë shërbimet e duhura? A e di se kjo, përveç se cinike, është edhe  tragjike? A e di se kemi një qeveri të papërgjegjshme? A e di se asgjë nuk e rrezikon më shumë një milet të vockël, sesa braktisja? A e di se mund të mos jemi më pas disa dekadash? A e di se asnjë pushtim nuk na ka bërë më shumë dëm se sa ky mjerim?

A e di se lindim pothuajse po aq sa vdesim dhe se, nëse vazhdojmë kështu, do tretemi dhe do përfundojmë  sa një grusht? A e di kush do blejë dhe kush do shesë, kush do shkojë në shkollat tona (të integruara me TIK),a e di se kush do i punojë tokat dhe punishtet tona, kush do i pastrojë shtëpitë nëse të gjithë ikin? A e di që po fikemi ,tretemi, pak nga pak, jo se nuk kemi tokë, diell, ujë dhe ajër, por se qeverisemi keq e mos më keq?

A e di se para ca muajsh u përmbytëm? A e di se sa prej tyre janë zhdëmtuar? A e di se sa shqiptarë të varfër janë terrorizuar, janë burgosur për palidhje, gjoja terrorizëm  A di ndonjë rast kur dikujt i është sekuestruar shtëpia për shkak të abuzimit, korrupsionit apo evazionit fiskal? A e di që nëse të duhet të rregullosh shtëpinë që ta përmbyti dimri apo lumi i tërbuar, duhet të marrësh leje nga uqimati (pushteti)? A e di se përndryshe ky meremetim llogaritet  ndërtim pa leje? A e di se rrezikon burgun nëse rregullon çatinë e prishur? A e di se nevoja për një estetikë kaotike të  “Disneyland-it” ka fshirë mijëra vende pune?? A e di sa taksa të qytetarëve i kanë harxhuar  për shkak të këtij projekti   tekanjoz?

A e di se sa borxh  publik kemi? A e di ti se ku shkon ky borxh? A e di se sa paguan ti dhe të gjithë ne për të shlyer një borxh që nuk e kemi krijuar vetë, por është mbledhur për shkak të mediokritetit, paaftësisë dhe abuzimit në vite? A e di se çdo fëmijë që lind, duhet të paguajë një borxh prej afër 3000 eurosh (mos më kap për shifre) që brezat ua lënë brezave pa asnjë arsye të qenësishme? A e di si do ta lajmë këtë borxh? A e di se qeveria mendon se borxhi lahet duke marrë borxh? A e di shpenzimi kryesor i qeverisë është pagesa e borxhit, në vend që të ishte arsimi, shëndetësia, pagat  dhe shërbimet publike?

A e di se sot qytetari  konsumon më pak se një vit më parë? A e di se sa janë shtuar veresitë në bakallnicat e lagjeve tona? A e di sa fëmijë nuk blejnë dot  një senduiç  në shkollë? A e di se të varfrit sot marrin më pak ndihmë nga shteti? A e di se numri i atyre që marrin asistencë sociale është reduktuar? A e di ku kanë shkuar tepricat e këtij kursimi? A e di se këto kursime kanë shkuar për të trukuar surratin në mënyrë që të gënjejnë bafçiren?

A e di se janë arnuar,jo ndërtuar rrugët  në këto dy vite ?A e di ti se “pomada-NIVEA”e surratit kushton më shumë se e vërteta e bafçires?

A e di se na thanë se punësimet do të bëhen vetëm me konkurse? A e di se këto konkurse nuk prodhuan asnjë ditë më shumë cilësi, më shumë barazi, më shumë transparencë për administratën tonë? A e di se nëse është e vërtetë se mësuesit merren në punë me konkurs, asnjë nga drejtuesit e ndërmarrjeve publike nuk është marrë me konkurs? A e di se drejtuesit e ndërmarrjeve  publike janë zgjedhur me shoqëri dhe pa asnjë kriter cilësie apo merite?

A e di se kush është futur në Parlamentin e vendit tonë? A e di se qytetarët mendojnë se në Parlament mund të hysh vetëm nëse vret, nëse vjedh, nëse je i pashkollë apo nëse je i pasur? A e di se në Vendin tonë,tani, po të vrasësh quhet punë, kurse të bësh një libër quhet dembelizëm i ushqyer me taksa? A e di kush i futi dhe pse këta në Parlament? A e di ti që dikush e dinte këtë  kur i futi? A e di që partitë e atyre qe na vranë dhe na vrasin janë ende në koalicion me ne? A e di që, nëse duhet të kandidosh për deputet apo kryetar komune, pyetja e parë që bëhet është sa para  ke? Sa vota do blesh? Sa të varfër do ushqesh me miell dhe vaj ditën e zgjedhjeve? A e di që tenderashat  vetëm zgjidhen kurse mileti vetëm zgjedhin?

A e di se kjo ndodh vetëm me parlamentet e atyre vendeve, partitë e të cilave nuk bëjnë reforma? A e di se po të jesh deputet, mund t’i kalosh policisë lëndë narkotike në makinë, ndërsa po të jesh i varfër nuk të presin sa ta paguash faturën minimale të operimit të djalit? A ke parë ndonjë pushtetar të korruptuar në burgjet tona? A e di se dhe administratat e burgjeve po ndahen mes partive në koalicion? A e di se edhe të burgosurit po ndahen mes partive tona?

A e di se 153 mijë votat që morën, sot me sa duket nuk dalin, duhet më shumë , duhet 200 mijë? A e di se administrata publike është një plaçkë që ndahet çdo ditë mes partive dhe prandaj kemi administratën më të degraduar dhe më mediokre të Evropës?

A e di, i dashur shok, se të gjitha sa shkruajta  janë vetëm  vendime personale? A e di se askush nuk është pyetur për sa më sipër, por përkundrazi, të gjithë janë detyruar të mbrojnë surratin dhe surrogatin për të ndëshkuar bafçiren?

A e kupton atëherë pse shkruaj?

A mendon akoma se është më mirë të mos shkruaj?

A beson se dëmtoj më shumë kur vetëm lexoj apo kur shkruaj?

A e kupton tani kush i bën më shumë dëm vendit tonë?

Surrati dhe surrogati apo bafçirja?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button