Mustafa në Spanjë, kërkon që Kosova të ketë vendin e saj në familjen evropiane

Qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, ashtu sikurse LDK-ja që është pjesë e Partisë Popullore Evropiane, ka thënë kryeministri i Kosovës dhe njëherësh, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në fjalimin e tij të mbajtur gjatë panelit qendror të Kongresit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), i cili po mbahet në Madrid të Spanjës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Mustafa, foli për avancimin e proceseve integruese evropiane të Kosovës, duke theksuar se tashmë Kosova i ka përmbushur kriteret dhe se, së shpejti pritet nënshkrimi i MSA-së dhe vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Kosova do të nënshkruajë këto ditë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, presim anëtarësimin tonë në UNESCO dhe të bëhemi anëtar i Këshillit të Evropës. Ne jemi duke u përqendruar në projektet e zhvillimit, investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të punës. Duke forcuar stabilitetin ekonomik, ne synojmë të hapim rrugën e një integrimi më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Qytetarët e Kosovës janë qytetarë evropianë dhe ata meritojnë të kenë vendin e tyre në familjen e shteteve evropiane, sikurse edhe partia ime, LDK-ja është pjesë e Partisë Popullore Evropiane. Qytetarët e Kosovës nuk e kuptojnë se pse ata duhet të mbeten të vetmit të izoluar me regjion. Ne kemi përmbushur kriteret për liberalizim dhe presim këtë vit caktimin e datës”, tha kryeministri Isa Mustafa, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Duke i falënderuar anëtarët e EPP-së për përkrahjen e tyre në procesin e integrimit evropian, ai foli edhe për objektivat kryesore të koalicionit qeverisës, që janë rritja më e shpejtë ekonomike e Kosovës, forcimi i sundimit të ligjit dhe integrimi në BE.

Mustafa theksoi vendimet shumë të vështira dhe të ndjeshme me të cilat është ballafaquar këtë vit Qeveria e Kosovës, themelimin e Gjykatës Speciale, Marrëveshjet në dialogun me Serbinë dhe Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi por, sipas tij, të gjitha këto vendime do të ndikojnë në forcimin e sistemit të drejtësisë, paqes, stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Lidhur me marrëveshjet me Serbinë, kryeministri Mustafa deklaroi që ka ngecje në zbatimin e tyre kurse, për faktin se këto marrëveshje kanë hasur në rezistencë të fortë nga partitë opozitare në Kosovë dhe veprimet e dhunshme dhe jodemokratike, ai u shpreh se këto veprime nuk kanë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i LDK-së, foli edhe për hapat konkret që i ka bërë Kosova në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, si dhe për miratimin e Ligjit i cili ndalon qytetarët kosovarë që të marrin pjesë në luftëra të huaja.

Në kuadër të temave aktuale globale, ndër to edhe atë të migrimit, problem ky me të cilin ishte ballafaquar Kosova në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, kryeministri kosovar tha se, Qeveria ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të menaxhuar situatën dhe po thuaj se e ka ndalur plotësisht trendin e migrimit.

Mustafa porositi se Kosova është një vend i sigurt dhe se Qeveria e Kosovës angazhohet në mbështetjen e procesit të ri-integrimit të qytetarëve të saj.

Gjatë qëndrimit në Madrid, kryeministri Mustafa, mori pjesë në takimet e Asamblesë Politike të EPP-së dhe zhvilloi takime me homologë dhe liderë të partive evropiane të qendrës së djathtë, anëtare të EPP-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button